Gjykata Themelore në Gjilan vlerëson praktikantët pas përfundimit të praktikës njëvjeçare
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, së bashku me administratorin Shkëlqim Dushica, kanë pritur praktikantët vullnetarë që kanë përfunduar me sukses praktikën njëvjeçare në këtë institucion, transmeton 2LONLINE.
Gjatë këtij takimi, drejtuesit e gjykatës shprehën mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e praktikantëve gjatë periudhës së tyre të punës, duke vlerësuar rolin e tyre në mbështetjen e proceseve të përditshme gjyqësore.
Kryetari Salihu i falënderoi praktikantët për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar, duke theksuar se përvoja e fituar do t’u shërbejë në ndërtimin e karrierës së tyre në fushën e drejtësisë.
Ndërkohë, administratori Dushica vuri në pah se puna dhe angazhimi i praktikantëve kanë qenë pjesë e rëndësishme e funksionimit të gjykatës gjatë vitit 2025, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit institucional.
Praktika profesionale në Gjykatën Themelore në Gjilan konsiderohet një mundësi e rëndësishme për të rinjtë që synojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre në sistemin e drejtësisë dhe të fitojnë përvojë praktike në këtë fushë. /2LONLINE/
