/2L ONLINE/ – “Vendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan për të hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Lutfi Hazirit, është i padrejtë, i detyruar dhe i ndikuar politikisht, sikurse që ishte edhe vendimi i mëparshëm nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Por ne do ta luftojmë këtë padrejtësi me anë të padisë që do ta bëjmë kundër gjyqtarit Shala”.
Kështu është shprehur sot Riad Rashiti, nga PDK-ja e Gjilanit, anëtar i Kuvendit Komunal, por në këtë ka reaguar Gjykata Themelore në Gjilan sipas të cilit institucion një veprim i tillë ndërhynë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Lexo edhe: Rashiti (PDK): Padi ndaj gjyqtarit Shala
Ja reagimi i plotë i Gjykatës Themelore në Gjilan:
Gjykata Themelore në Gjilan, reagon ndaj deklaratave të një anëtari të një subjekti politik në Gjilan, i cili i komenton vendimet gjyqësore, duke e vlerësuar këtë si një veprim i cili ndërhynë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të zbatueshme, Gjykatat janë të pavarura në punën e saj nga pushtetet tjera.
Gjykata Themelore në Gjilan, kërkon nga të gjitha subjektet politike që të përmbahen nga deklarimet e tilla, që e cenojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Vendimet gjyqësore vlerësohen vetëm nga instancat më të larta të gjyqësisë në Republikën e Kosovës. /2L ONLINE/