Gjykata Speciale po Vjen!
Shkruan: Raza Bashota
/2L ONLINE/ – Themelimi apo (mos) themelimi i Gjykatës Speciale, ditëve të fundit është bërë kryetemë. Duke filluar nga nivelet më të larta shtetërore, zyrtar institucional dhe përfaqësues e deri në tavolinat e qytetarëve të thjeshtë apo statuset në muret e rrjeteve sociale. E gjithë kjo jo më pa të drejtë. Fundi i fundit shteti është i të gjithëve dhe të gjithë jemi përgjegjës.“Qytetari aktiv” është një virtyt i çmuar, pa të cilin nuk do të mund të ekzistonte edhe vetë demokracia, aq shumë e lakmueshme për Republikën e Kosovës.
Megjithatë, ky rrotullimi i medaljes deri tek qytetaret nga praktikat e kaluar nuk duket të jetë edhe gjithaq i sinqertë. Pra, si mund të jetë i tillë kur pikërisht janë po këta akter politik që Kosovën e kanë sjellë para vetëm një zgjidhjeje, më dy mënyra apo forma të mundshme: E para, themeloni vetë përmes ndryshimeve kushtetuese; E dyta,” jua themelojnë” gjegjësisht themelimi i një Gjykate Speciale nga ana e Ks të OKB, pjesë e se cilës janë edhe Rusia aleate tradicionale e Serbisë e madje edhe Kina?! Përfaqësuesit diplomatik të shteteve mike në Prishtinë, duke përfshirë aleaten kryesore SHBA, ishin të qarta në qëndrimet e tyre “neve nuk do të mund ta pengonim” një nismë të tillë.
Nga situata e krijuar vihen në pah fakte se pavarësisht entuziazmit, nga seanca e 26 Qershorit që ju tha një “jo”, ndryshimeve kushtetuese që do ti hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, megjithatë, rrethanat e krijuara janë sa serioze po aq edhe komplekse dhe siç duket të evitohet themelimi i një Gjykatë të tillë, është pothuajse e pamundshme.
Pra, “show” i një seancë të “nxehtë” ju ofrua vetëm si pamje “live” e destinuar më shumë për konsum të brendshëm. Plotë debate e polemika, kush kënd po diskrediton më shumë në sy të publikut të gjerë! Përfaqësues më qëndrime të ngjashme e të kundërta, as të unifikuar dhe as pa unifikim. Disa sosh dukeshin se më shumë ishin të interesuar të mos lëshonin mundësinë për të fituar, gjegjësisht për të mos humbur ndonjë përkrahës a simpatizant, se që ishin plotësisht të përgjegjshëm për peshën e asaj që tashme kanë pranuar të kenë mbi “supet” e tyre: Përfaqësimin dinjitoz të interesave nacionale e shtetërore. Debatet dhe polemika emocionale dominonin dhe ishin të dukshme. Loja fjalësh: “ju nuk jeni ma (më!) patriotë”, gjoja se këta tjerët qenkan?! Në të vërtetë, ne nuk dimë cila palë ishin apo janë më shumë ose me pak, ngase nuk ekziston një “patriotomatës” si njësi matëse dhe as që do të duhej të na interesonte, interesimi ynë duhet të jetë i fokusuar në përfaqësim të denjët të interesave shtetërore-Vetëm kaq!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjegjësisht rezistenca e armatosur e popullit shqiptarë në Kosovë ishte më shumë se e nevojshme- e domosdoshme, më qëllime të vetëmbrojtjes, ngase ishte e rrezikuar vetë ekzistenca dhe qenia e shqiptarëve të Kosovës nga ana e represionit të regjimit të Millosheviçit dhe aparatit të dhunës shtetërore. Përkrahja e SHBA, si dhe ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veri Atlantike nuk ishte e rastësishme, po ngase ishte kauzë e drejt për liri e pavarësi.
Është pikërisht politika, përfaqësues zyrtar dhe shtetëror që vazhdojnë ti sjellin vendit dështime karshi politikës ofensive si dhe lobit të fuqishëm serb dhe rus.
Gjykata Speciale do të themelohet, këtë madje na komunikuan shumë qartë. Themelim përmes Kuvendit të Kosovës, ose nuk do të mund të pengohet inicimi nga KS të OKB. Zgjidhja e parë nuk duket të jetë lehtësuese, megjithatë, mundësia e tjetër veç sa e komplikon procesin edhe më tutje. Pra, mos themelimi nuk do të mund të evitohet edhe ashtu. Shpjeguar në terma sportive edhe pse lojë “miqësore” madje edhe miqtë mund të shënojnë “gol” nëse topi mbahet vazhdimisht afër ”portës” dhe mbrojtja nuk tregohet e denjët. Nuk do mund të përjashtohet mundësia që qëllimi mund të jetë qe të ndërrohen lojtaret e lojës dhe “ekipi” në miqësore të radhës të jetë i pajisur më lojtar të denjët?!
Sidoqoftë, e gjithë kjo nuk do të duhej të kuptohej që aleatet dhe miqtë tanë nuk besuan në pastërtinë e luftës sonë për liri dhe pavarësi, ngase e besuan. Besuan në rezistencën dhe luftën tonë të drejtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe ndërtuam një shtet bashkërisht. As që do të mund të mendohej ndryshe. Mirëpo, askush nuk mundet të siguroj që individ të caktuar edhe mund të kenë shkelur normat ndërkombëtarë të “ Luftës dhe konflikteve të armatosura” eventualisht krime të supozuara të pas luftës, megjithatë, besojmë në pastërtinë apo pa fajësi të të gjithëve parimisht. Përderisa, jemi të pastër në idealin dhe luftën tonë si popull, nuk do të duhej të kemi as edhe një arsye për frustrim qytetar, institucional apo shtetëror.
Kosova, fitoj simpatinë dhe përkrahjen ndërkombëtare vetëm që diti dhe dinte të mbajë qëndrim ndryshe- të arsyeshëm dhe bashkëpunues, jo refuzues, dhe jo agresiv, si para edhe pas Konferencës në Rambujen, ndryshe nga shteti serb.
Serbia as që do të mund të merrej si model, ngase modelet kryeneçe dhe vetë dëmtuese as që na duhen. Është më se e nevojshëm të kihen parasysh interesat gjeopolitike, gjeostrategjike e tutje! Integrimi as që do të mund të mendohet pa përkrahjen e miqve dhe aleatëve tanë, në radhë të parë SHBA, si dhe shtetet kryesore të UE-së.
Aktoret politik kosovare respektivisht disa syresh, pavarësisht që në familje, lagje, rajone të caktuara, apo edhe nivel shteti mund edhe ta ndjejnë vetën të fuqishëm, të “mëdhenj” apo si punë: “Shteti jam Unë”, mirëpo, do të duhej ta dinin se zinxhiri i politikës rajonale dhe ndërkombëtare nuk lidhët as për figura individuale dhe as për grupe individësh, veç se në një moment apo periudhë kalimtare, të shkurtër. Thënë ndryshe individët janë të përkohshëm, ndërsa shteti i përhershëm.
Pra, ajo qe na nevojitët është pjekuria politikë e pse jo edhe qytetare.
Riprocedimi në esencën e radhës, vetëm sa do ta vejë në pah faktin se përfaqësuesit e popullit edhe mund të zgjedhin “për” apo “kundër”, veç se Kosova jo. /2L ONLINE/
