DYLON

Gjykata Speciale nuk po krijohet rastësisht!

Avatar photo Redaksia

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë nuk po krijohet rastësisht, thotë politologu Mentor Tahiri, duke shtuar se, ajo është një mekanizëm i menduar gjatë nga faktori ndërkombëtarë, andaj kjo bën të kuptohet që ajo nuk do të merret me raste ‘‘ad hoc’’, por bëhet fjalë për një analizë sistematike të disa dukurive që është e mundshme se kanë ndodhur në Kosovë, para dhe gjatë luftës.

“Formimi i Gjykatës Speciale mund të duket i padrejtë. Aq më tepër, që nuk është e drejtë që të tjerët të na e imponojnë krijimin e këtij institucioni. Megjithatë, duhet të shikojmë çfarë po ndodh përreth, vendi ynë është praktikisht i vetmi vend i Evropës Juglindore i dalë nga lufta, qe nuk ka krijuar çfarëdo instance të posaçme e cila merret me krime të luftës, qofshin këto krime edhe krejtësisht një supozim. Gjithashtu, fakti se kjo gjykatë do të merret edhe me ngjarje të pasluftës, duhet të shfrytëzohet drejtë nga shoqëria e Kosovës”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

EkoHigjiena

Politologu thekson se, gjetja e fajtorëve për vrasjet e pasluftës do të qetësojë shumë gjakra të nxehtë në Kosovë, kurse ajo që është më e rëndësishme me këtë do të pushojnë etiketimet që bëhen me hamendje. Kosovës i duhet paqja edhe në këtë drejtim.

“Në pyetjen tuaj në lidhje me turpërimin përveç ndëshkimit, mendoj se kjo është e pashmangshme. Në fakt, Kosova në tërësi është e turpëruar që në fillim, ngase formimi i kësaj gjykate shpërfaqë një sistem jofunksional të drejtësisë në Kosovë. Këtë mund edhe të përpiqemi të argumentojmë, duke u thirrur në atë se vendi ka dalë nga lufta, por duhet pranuar se kanë kaluar plot 16 vite që kur lufta ka mbaruar dhe se nuk ka asnjë arsyetim real përse ende nuk funksionojnë si duhet shtyllat kyçe që karakterizojnë një shtet dhe e mbajnë të qëndrueshëm sistemin e vlerave rreth të cilave një shoqëri zhvillohet”, thotë Mentor Tahiri.

Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.

http://botasot.info/kosova/418024/gjykata-speciale-nuk-po-krijohet-rastesisht/