Gjykata Speciale dhe “ekspertët” e Facebook-ut
NGA: Riad Rashiti
Ata, që në vazhdimësi po e fajësojnë votimin nga Kuvendi i Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale.
Ata, që nuk po ka asnjë fjalë për të fajësuar shpifësit dhe bashkëpuntorët shqiptarë me shtetin serb dhe rus kundër popullit të vet.
Ata, që po i gëzohen padrejtësisë së Hagës kundër liderëve të UÇK-së dhe ata që e duan dhe i gëzohen dënimit eventual dhe të padrejtë të tyre.
Ata, që nuk po gjejnë asnjë fjalë kundër mënyrës qysh gjatë procesit u ndërruan tërësisht aktakuzat prej asaj që është bazuar dhe themeluar Gjykata Speciale, në ato akuza krejt tjera qysh po zhvillohet për vite të tëra procesi gjygjësor në Hagë.
PAK MË GJERË PËR “EKSPERTËT” e facebook-it
Për shumë vite kemi dëgjuar dhe sot po dëgjojmë zëra të “ekspertëve” ligjor dhe politik që e drejtojnë gishtin kah ata që në vitin 2015 votuan për themelimin e Gjykatës Speciale.
Por për të qenë të drejtë, të sinqertë dhe korrekt duhet me u kujtu qartë konteksti, rrethanat dhe presioni i asaj kohe.
1. E vërteta historike nuk ndryshohet me emocione ditore
Në atë kohë, Serbia dhe aleatët e saj me ndihmën e shpifësve shqiptarë si Nazim Bllaca dhe të tjerët, po e bombardonin ndërkombëtarisht luftën çlirimtare të UÇK-së me akuza për trafik organesh dhe krime monstruoze që kinse kishin ndodhur në shtëpinë e verdhe në një fshat afër Burrelit në Shqipëri.
Këto ishin shpifje që synonin kriminalizimin e krejt projektit të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj nuk kishin asgjë për të fshehur. Dhe pikërisht për këtë arsye, themelimi i Gjykatës u pa si mënyra më e drejtë për t’i dhënë fund kësaj fushate shpifëse ndërkombëtare.
2. Gjykata u kërkua nga aleatët tanë më të ngushtë
Mos të harrojmë, kërkesa për themelimin e Gjykatës nuk erdhi nga Serbia. Erdhi nga SHBA, BE dhe partnerët që e ndihmuan çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ata e dinin që UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por donin që këtë ta vërtetonte një proces ndërkombëtar juridik.
Ishte një mënyrë për ta demaskuar përfundimisht rrjetin ruso-serb të shpifjeve dhe për të vulosur drejtësinë e luftës tonë çlirimtare.
3. Pse sot akuzat janë të ndryshme nga ato që u përfolën dikur?
Gjykata nuk ka përmendur asnjëherë trafik organesh. Sepse ka qenë gënjeshtër! Kjo vetvetiu është dëshmi që lufta jonë ka qenë e pastër dhe çdo gënjeshtër po bie një nga një. Por tash, përmes dëshmitarëve të blerë, politikave të ndyta kriminale dhe një strukture të përbashkët Hagë-Serbi-Rusi, janë ngritur akuza që përpiqen të zhvendosin fokusin.
Pra, ata që e votuan gjykatën e bënë për ta përmbyllur këtë kapitull shpifjesh. Qëllimi nuk ishte dënimi i UÇK-së, por mbyllja e një kapitulli të errët të manipulimeve ndërkombëtare.
4. Opinionistë, analistë dhe “ekspert” të çështjes: Kujdes me hipokrizinë
Sot po paraqiten si mbrojtës të UÇK-së disa që dje ishin bashkëpunëtorë të hetuesve. Disa që publikisht e nënçmonin luftën tonë. Disa që sot po keni dëshirë me ju hy në hatër këtij pushteti në Koosvë.
Po harroni se vetë njerëz të pushtetit aktual kanë deponuar dëshmi në Hagë kundër liderëve të UÇK-së.
A është e drejtë kjo? A po ua harroni kontributin atyre që ishin në ballë të luftës dhe të shtetndërtimit? Apo po shfrytëzoni ndjeshmërinë e sotme për poena politikë?
Në fund: pak më shumë përgjegjësi e pak më pak populizëm politik
Nëse sot jemi këtu ku jemi, me shtet, me liri, me institucione është edhe falë atyre që morën vendime të rënda në kohë të vështira. E themelimi i Gjykatës Speciale ishte një vendim i tillë.
Jo për me dënu UÇK-në, por për me e mbrojtë drejtësinë e saj përmes një procesi që do të nxirrte në shesh të gjitha gënjeshtrat.
Mos fajësoni ata që mbajtën barrën më të rëndë, fajësoni ata që qëndruan mënjanë në luftë dhe në shtet ndërtim ose edhe më keq kontribuan në fushatat kundër luftës tonë.
Kosova ka nevojë për unifikim ndaj të vërtetës dhe përballje me të vërtetën. Jo për amnezi kolektive dhe populizëm të rrezikshëm.
I ftoj të gjithë këta “ekspertë” që të dalin përhere në protestë për të mbrojtur të vërtetën e popullit tonë, luftën e pastër të UÇK-së.
Dilni edhe sot, ora 17:00 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. /2LONLINE/
