Gjurmët e manifestimit të Flakës së Janarit
Nevzad ISUFI
(2L ONLINE) – Edhe një vit na ndanë nga çerek shekulli i Manifestimit të Flakës së Janarit,kohë për të cilën rritet dhe piqet një gjeneratë, e cila do të duhej të ishte e përfshirë në jetë bërjen e gjithë shoqërisë sonë dhe shtetit tonë të ri, i cili ashtu siç është, po hyn në vitin e shtatë. Pra, shikuar nga ky krahasim del se Flaka e Janarit është më madhe për më shumë se trefishin e moshës së shtetit tonë. E bëra këtë krahasim jo për të bërë ndonjë vlerësim a nënvlerësim por më shumë për të shtuar se këtij Manifestimi të 24-të me radhë dhe atyre në vazhdim, do të duhej dhënë vendi i merituar,bazuar edhe në faktin se kujt i kushtohet, pra heronjve e martirëve si Kadri Zeka e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, heronjve si Rexhep Mala e Nuhi Berisha e heronjve e martirëve të janarve, deri te kryetrimi Skenderbe, Prandaj, ky manifestim do të duhej marrë edhe më me shumë seriozitet seç po merret sot, apo gjatë këtyre viteve, veçanërisht pas pavarësisë së shpallur të shtetit tonë dhe të krijimit të institucioneve të nivelit më të lartë shtetëror, e në kuadër të tyre edhe të atyre kulturore, pjesë e të cilit është ky manifestim i rëndësishëm. Disa nga këto fytyra të mëdha kombëtare të cilave edhe iu kushtohet ky manifestim, nuk e kishin këtë moshë të manifestimit, kur u flijuan për atdhe, e ne ende nuk kemi formësuar një fytyrë të çartë të këtij manifestimi as pas kaq vjetësh. Kështu mungon statuti dhe një rregullore e çartë dhe e qëndrueshme ku do të detajizohej e gjithë përbërja, ecuria, kriteret e përzgjedhjeve, kriteret e vlerësimit e të shpërblimit të pjesëmarrësve të këtij manifestimi, edhe pse në vija të përgjithshme ai tashme ka krijuar një traditë dhe fytyrën e tij. Madje në dhjetëvjetorët e njezetëvjetorët do të mund të shënoheshin edhe me nga një libër të veçantë të përmbledhur vetëm me materialet e manifestimeve të Flakës.
Në anën tjetër, duke qenë se kemi të bëjmë me një manifestim tashmë tradicional, ky do të duhej futur në planifikim buxhetor, madje jo vetëm në atë komunal por edhe në atë qendror, kjo për shkak të gjerësisë së shtrirjes dhe renomesë që ka. Edhe deri më tash rrallë ka pasur ndihmesa financiare nga institucionet qendrore,Ministria e Kulturës, a Kryeministria,madje edhe kur kjo është bërë, është bërë në saje të një subvencioni të çastit, por jo duke e parë këtë si një detyrim dhe si përcaktim buxhetor. Në këtë mënyrë një përfshirje e tillë me një buxhet më solid, do të kishte një ndikim edhe më me peshë edhe në ofrimin e vlerave më të larta gjithëkombëtare kulturore.
Gjithashtu synimi që të kemi një gjithëpërfshirje, në pjesëmarrje të të gjithë spektrit kulturor që përfshinë Flaka e Janarit, jo vetëm për komunën tonë por edhe për tërë Kosovën e hapësirat gjithëshqiptare, kërkon që për këtë manifestim të kemi informacion të bollshëm dhe me kohë, duke përfshirë edhe reklamimin në mjetet e informimit, pra, televizione shtyp, radio, si për konkurset ashtu edhe për programin e saj etj, gjë që viteve të fundit nuk po bëhet ( mbase edhe për mungesë parash).
Përgjithësisht kulturës në të gjitha segmentet e saj po i kushtohet pak vëmendje, kjo mund të shikohet edhe nga fondet që ndahen për të. Kështu që jeta kulturore nuk ka ndonjë tretman më të mirë as në komunën tonë, madje përkundrazi, këtu kultura nuk ka as drejtori të veçantë më, në bazë të propozimit të Kryetarit të Komunës e rrjedhimisht edhe me vendim të Kuvendit të Komunës, kjo drejtori është shndërrua në Njësi për kulturë, në kudër të Zyrës së Kryetarit të Komunës. Prandaj, të mbash një manifestim si Flaka e Janarit, për një periudhë afër tri javore, nuk është e lehtë dhe është me përgjegjësi të madhe. Pra, shikuar për nga koha sa zgjatë, por edhe nga pesha që ka, ky manifestim po mbetet ngjarja më e madhe kulturore vjetore, dhe si e tillë duhet marrë gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e duhur. Prandaj për këtë arsye, edhe vite më parë është formuar enkas një trupë për këtë manifestim,që nganjëherë është quajtur Këshilli i Manifestimit të Flakës, Këshilli Organizativ, Bordi i Flakës etj., të cilët me kontributin, përvojën dhe përkushtimin e tyre, e në bashkëpunim e bashkërendim me institucionet e kulturës, e kanë begatuar këtë manifestim. Ne si LVV edhe në Kuvendin komunal kemi dhënë propozime konkrete, me qëllimin e vetëm që Manifestimi “Flaka e Janarit” të formësohet qëndrueshëm dhe institucionalisht në formën më të mirë, por propozimet e sugjerimet tona, por si duket këto më shumë po shihen në aspektin se kush propozon e jo në atë se çka thuhet a propozohet. Kjo është edhe arsye pse po paraqitemi publikisht, e mbase idetë tona mund të propozohen nga dikush tjetër dhe merren parasysh. E kjo për ne është e mjaftueshme.
Por, institucionet tona komunale të kulturës po e marrin veten si “ të vetëmjaftueshme” për një organizim të tillë, ose po bëjnë përzgjedhje të Këshillave organizative me ngjyrime tjera më të parapëlqyeshme se sa kulturore e profesionale. Ne mendojmë se për të kthyer përmasat e një manifestimi republikan gjithëkombëtar, çfarë pat filluar të bëhet dikur, madje edhe në periudha më të vështira nën okupim (pa harruar sa ai mbahej në Kosovë- Gjilan, Deqan, Pejë, mbahet e mbahej edhe në Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Tiranë) duhet punuar me një ekip shumë më të gjerë njerëzish të profileve të ndryshme.
Përcaktimi që në shenjë respekti, nderimi e përkujtimi ndaj dëshmorëve,të bëhet me manifestim të shumënduarshëm kulturorë, lë të kuptohet se ngjyrimet politike nuk kanë vend në të, po kjo premisë nuk po respektohet gjithmonë, nga se po ndodhë që nganjëherë të vërehen tendenca për t’i dhënë një ngjyrim politik këtij manifestimi, varësisht se cila parti politike është në pushtet, këtë do duhej penguar në çdo mënyrë e me çdo mjet, sepse shumëngjyrëshmëria që mund të ofroj ky manifestim do të duhej të ishte e mjaftueshme për të kënaqur të gjitha shijet, përveç atyre të ngushta politike.
Ky manifestimit kushtuar këtyre njerëzve të mëdhenj të kombit, duhet të shërbej edhe si një thirrje për të bërë edhe më shumë për ta, nga institucionet veçanërisht por edhe nga të gjithë ne,sepse për disa nga këta atdhetarë e heronj të kohës më të re, ende nuk kemi të ndriçuar jetën e veprimtarinë e tyre të tërësishme në dobi dhe shërbim të atdheut, për çka edhe u flijuan, me gjithë ekzistencën e dëshmitarëve të gjallë, por edhe të bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve po ashtu të gjallë, por edhe fakteve e të bëmave tjera tashmë të njohura, por që nuk janë formësuar në libra të bërë nga historianët, pa përmendur këtu disa dokumentarë të punuar në përvjetorë të ndryshëm, apo ndonjë libër të shkruar nga dashamirës e entuziastë, atdhetar e qëllimmirë, të cilët janë vlerësuar e duhet përkrahur, por që nuk mund të plotësojnë kriteret e librave të bazuar në shkencën e historisë. E them këtë, sepse besoj në thënien “se më lehtë është të shkruash historinë, se sa ta bësh historinë”.
Librat e tillë pos që do t’u shërbenin gjeneratave të reja, për njohje më të mirë të veprimtarisë së tyre atdhetare, do të ishin bazë e mirë edhe për të bërë skenarë të dramave, shfaqjeve e filmave, jo me bazë në fantazi, por me bazë në realitetin e kohës, dhe kështu këto figura madhore do të skaliteshin edhe më shumë në kujtesën e njerëzve e të kohës.
Mos gatishmëria për të bërë këto gjëra tash 15 vjet pas luftës së fundit dhe thirrja në mungesë parash e në një tkurrje buxhetore, ne na duket tejet e paqëndrueshme dhe jo serizore.
Në fund lidhur me Manifestimin flaka e Janarit, duke qenë pjesë e tij shumë vite me radhë, madje që fazat e themelimit të saj, po në emër të Qendrës së LVV në Gjilan, mendoj se duhet falënderuar të gjithë kontributëdhënësit këtij manifestimi të madh e ata janë artistë të njohur, artistë të popullit, muzicientë e këngëtarë, poet e prozatorë, skeranistë e regjisorë, krijues të rinj e krijues me përvojë, fëmijë e të rinj, gra e burra, ca prej të cilëve nuk janë më në jetë, që me format nga më të ndryshmet dhanë ndihmesë e qenë të pranishëm në këtë manifestim, për më shumë se dy dekada. Këta janë mijëra njerëz, këtu është dhe ka qenë një popull i tërë nga të gjitha trojet shqiptare e nga gjithë diaspora, prandaj kërkesa jonë për rritje të cilësisë, për përkushtim e seriozitet edhe më të madh në organizim e masovizim, është e qëndrueshme dhe do të jetë e vazhdueshme pa kursyer askë, si për mangësitë ashtu edhe për falënderim e lëvdata meritore. Borxhi ynë ndaj të gjithë dëshmorëve është i madh dhe duhet të punojmë e të lutemi që të mos shkojmë në falimentim. /2L ONLINE/
