“Gjuriqi ta pranojë realitetin, Kosova do ta marrë kodin”
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e ka përgënjeshtruar shefin e ekipit negociues të Serbisë në bisedime me Kosovën, Marko Gjuriq, lidhur me kodin telefonik të Kosovës, i cili ka thënë se vendi ynë mund ta marrë prefiksin telefonik nëpërmjet Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion vetëm nëse këtë e kërkon Serbia si anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Tahiri në një intervistë për “Epokën e re” ka deklaruar se Kosova do ta marrë prefiksin 383 si çdo shtet i pavarur dhe se kërkesën për këtë do ta bëjë Austria. Ajo ka thënë se pretendimet e zyrtarëve serbë për ta mohuar këtë fakt janë deklarata joreale.
Tahiri ka thënë se të dyja delegacionet duhet të jenë të hapura me opinionin dhe ta tregojnë realitetin e përparimeve në këtë proces.
“Po më vjen keq, por ato deklarata fare nuk përkojnë me realitetin. Në bisedime ata kanë qenë bashkëpunues, sepse pa qenë bashkëpunues të dyja palët nuk mund të shkohet edhe deri tek përparimi. Ne zakonisht si delegacion i Kosovës jemi të hapur për të komunikuar për atë çfarë ka ndodhur në këto bisedime, realitetin e përparimeve”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka treguar se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, të gjitha kodet e tjera telefonike që janë përdorur më herët do të shuhen.
