Gjithëpërfshirje në dialogun e Brukselit
Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, pavarësisht se Qeveria nën drejtimin e tij ka punuar në kushte të jashtëzakonshme të presionit dhe të dhunës, me sulme të pandërprera, përfshirë edhe ato fizike, ka treguar durim dhe ka arritur t’i realizojë synimet që ka para vetes.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ai ka theksuar se koalicioni qeverisës është stabil dhe bashkëpunues, i orientuar qartë kah zhvillimi ekonomik, integrimet evropiane, shteti ligjor dhe miqësia me SHBA-në. Duke folur për liberalizimin e vizave, Mustafa ka theksuar se para se të ndodhë votimit në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, Kosova do të duhej ta ketë të ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi për kufijtë. Sa i përket formatit të dialogut në Bruksel, kryeministri Mustafa ka thënë se është në interes të vendit të kemi një gjithëpërfshirje në dialog edhe nga Zyra e Presidentit, Kuvendit, por edhe nga shoqëria civile.
Mustafa në këtë intervistë, ka thënë se po pret nga PDK-ja që t’ia dërgoj emrat për plotësimin e dy pozitave pas shkuarjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit.
Ai e ka quajtur zgjidhje të pranueshme emërimin e Hajredin Kuçit zëvendëskryeministër, e të Enver Hoxhajt ministër të Punëve të Jashtme.
Kryeministri Mustafa ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje deri më 10 qershor 2018.
