Gjimnazistët gjilanas prezantojnë dy zgjidhje digjitale, platformën “Syri kibernetik” dhe “Sistemi i automatizuar i ziles së shkollës”
Në Hotel International Prishtina në Prishtinë është mbajtur ngjarja përmbyllëse e komponentës Techstitution, e cila erdhi pas një periudhe intenzive pune dhe angazhimi të të rinjve në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për shkollat dhe komunitetet e tyre. Gjatë aktivitetit janë prezantuar rezultatet e arritura, përvojat e pjesëmarrësve dhe ndikimi i iniciativave të realizuara në kuadër të programit.
Në këtë prezantim kanë marrë pjesë katër gjimnaze të ndryshme të Kosovës me nxënësit të cilët kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt në krijimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për shkollën dhe komunitetin e tyre.
Hapjen e konferencës e ka bërë Granit Brajshori, Menaxheri i projektit nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), derisa në fjalën hyrëse janë paraqitur Rita Glavitza, shefe e zyrës Austriake për Zhvillim dhe Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF në Kosovë si dhe Petrit Tahiri, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC).
Rita Glavitza, Shefe e Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë, e cilësoi këtë sukses si: ” Një demonstrim i fuqishëm të asaj që ndodh kur investojmë te mendjet e reja, duke shtuar se të rinjtë tanimë janë vetë ndryshimi”.
Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF në Kosovë, përgëzoi bashkëpunimin e ngushtë me shkollat për institucionalizimin e këtyre zgjidhjeve, duke potencuar se: ” Përmes këtij programi kemi dashur që nxënësit të kenë aftësi praktike që të sjellin më të mirën në shoqëri dhe komunitet. Nxënësit janë inspirimi im më i madh dhe ju them: vazhdoni ëndërroni”.
Petrit Tahiri, Drejtor Ekzekutiv i KEC, vuri në dukje se: “Ky program dëshmoi se si teknologjia, kur përdoret me qëllim të mirë, kthehet në një mjet të fuqishëm për bashkëpunim dhe ndryshim pozitiv shoqëror.”
Granit Brajshori, Menaxher i projektit, përmbylli duke theksuar se: “Techstitution nuk ka qenë vetëm një program për teknologjinë, por ka qenë një mundësi për t’i fuqizuar të rinjtë që të mendojnë ndryshe, të besojnë në aftësitë e tyre dhe ta shohin veten si krijues e kontribues të ndryshimit në komunitetet e tyre”.
Me projektet e tyre, prezantimin e zgjidhjeve digjitale janë paraqitur Gjimnazi “Ulpiana” – Lipjan Gjimnazi “Hajdar Dushi” – Gjakovë, Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” – Gjilan dhe Gjimnazi “Remzi Ademaj” – Prizren.
Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Laidë Ismajli, Anisa Muji, Diora Salihu, Diar Salihu, Aril Haliti, Malvina Bllaca dhe Anuar Shaqiri, të shoqëruar nga drejtori i shkollës Bekim Mustafa, koordinatori i cilësisë, Sami Selishta dhe Enver Sadiku, këshilltar për karrierë janë paraqitur me dy zgjidhje digjitale, platformën “Syri kibernetik” dhe “Sistemi i automatizuar i ziles së shkollës”.
Derisa platforma e parë ka të bëjë me sigurinë kibernetike tek të rinjtë, të cilët çdo ditë përdorin internetin, rrjetet sociale dhe aplikacione të ndryshme, sfida e dytë kishte të bëjë me menaxhimin e ziles së shkollës, e cila tash e tutje do të jetë automatike, duke shmangur kështu angazhimin e vazhdueshëm dhe gabimet në respektimin e orarit.
Shkollat pjesëmarrëse u nderuan me mirënjohje nga organizatori. /2LONLINE/
