Gjimnazet matematikore – rrugëtim drejt prosperitetit të Kosovës
(2L ONLINE) – Arsimi cilësor, e në kuadër të tij posaçërisht matematika dhe mësimi i saj, duke i kushtuar rëndësinë e duhur, në të gjitha shkallët e arsimimit është bazament i sigurt për zhvillimin e fortë dhe të qëndrueshëm të çdo shteti. Prandaj edhe Kosova në vazhdimësi duhet t’iu kushtoj atyre kujdesin e duhur dhe maksimal.
Shkruan: Festim SHKODRA
Duke pas parasysh këtë, pos shteteve tjera mike të Kosovës edhe SHBA dhe Gjermania, përmes organizatave qeveritare të tyre USAID dhe GIZ përkatësisht, po japin për vite me radhë kontributin e tyre në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, e posaçërisht në ngritjen e nivelit të mësimdhënies dhe mësimnxënies së matematikës.
Në sistemin e kaluar mësimor, maturantët e drejtimit matematikë-informatikë kanë qenë në vazhdimësi më të suksesshmit në provimin e maturës, duke arritë kalueshmërinë afër 100% çdo herë. Ata për nga numri i pikëve arritën t’ia kalojnë në lëndët shkencore, shoqërore dhe gjuhësore edhe nxënësve të drejtimit përkatës me ato lëndë. Ata ishin më të mirët edhe gjatë regjistrimit nëpër fakultete të ndryshme si dhe kanë arritur t’i kryejnë ato dhe po i kryejnë me rezultate kulmore.
Nga ky drejtim, një numër i madh studentësh janë regjistruar edhe në fakultetin e matematikës, që i kanë kryer dhe po i kryejnë studimet aty me sukses të lartë. Kuadër ky më se i nevojshëm për shumë shkolla të mesme të larta të Kosovës, të cilat edhe më tej kanë nevojë për shumë matematikanë të kualifikuar.
Mjaft nxënës të këtij drejtimi kanë kryer dhe po i kryejnë studimet edhe jashtë vendit në universitete prestigjioze me suksese të lakmueshme. I gjithë ky lum kuadrosh të afta që zënë fill nga ky drejtim, Kosovës i duhen sot më shumë se kurrë. Ata tashmë veç po japin kontributin e tyre çmuar në fusha të ndryshme të shoqërisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe po e ngrisin lartë emrin e shtetit tonë jashtë vendit.
Nxënësit e këtij drejtimi, në saje të talentit, vullnetit, angazhimit personal dhe punës e përkrahjes së palodhshme të mësimdhënësve të tyre nëpër të gjitha shkallët e shkollimit të mëhershëm, e posaçërisht dijes së marrë në këtë drejtim, arritën të japin kontributin e tyre edhe në afirmimin e shtetësisë Kosovës. Kështu që, qe disa vite me radhë, Kosova u bë pjesëmarrëse me të drejta të plota në Olimpiadat Botërore të Matematikës. Olimpiada këto të dijes në matematikë, për nxënës, të ngjashme për nga niveli me Lojërat Olimpike Botërore – Verore apo Dimërore dhe në to ekipi ynë paraqitet me simbolet shtetërore të Kosovës krahas ekipeve të shteteve tjera nga mbarë bota.
Me fillimin e aplikimit të kurrikulës së re mësimore, ky drejtim u ndërpre në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe atë ,,Sami Frashëri” të Prishtinës vitin e kaluar, e në komuna tjera të Kosovës sivjet. Me këtë po bëhet një dëm shumë i madh dhe i pakthyeshëm, për dy gjenerata shkollarësh nga Gjilani e Prishtina, e tashmë edhe për një gjeneratë nxënësish nga tërë Kosova.
Po ashtu, shumë i rëndë është edhe dëmi që po iu bëhet studentëve të interesuar për studimin e matematikës, me mbylljen e degës së matematikës në FSHMN. Por shumëfish edhe më i madh është dëmi që po i bëhet prosperimit të shtetit tonë të ri.
Kurrikula e re mësimore është shumë bashkëkohore dhe cilësore. Ajo tani parasheh hapjen e dy tipeve kryesore të gjimnazeve: gjimnazin e shkencave natyrore si dhe gjimnazin e shkencave shoqërore dhe gjuhësore. Në kuadër të këtyre gjimnazeve, matematikës i është kushtuar hapësirë e konsiderueshme. Por ato drejtime, nuk mund të krahasohen asesi me drejtimin e vjetër tejet të suksesshëm matematikë-informatikë dhe me hapësirën e madhe që i kushtohej aty matematikës dhe informatikës, prandaj nuk mund ta zëvendësojnë atë.
Zgjidhja e problemit ekziston, sepse kurrikula e re mësimore, e parasheh edhe hapjen e gjimnazeve speciale. Prandaj, sa jemi në fillim të vitit të ri shkollor, është më se e domosdoshme hapja e gjimnazeve matematikore me 2-3 paralele, nëpër çdo qendër rajonale, pasi ekziston kuadri i kualifikuar në ato qendra. Hapja e një gjimnazi matematikor në Prishtinë është veprim tejet i qëlluar.
Por kjo vetëm e zbutë problemin në nivel të vendit, e nuk e zgjidhë në tërësi, sepse një numër i madh të interesuarish nuk do të mund të kenë qasje në të për arsye të ndryshme. Prandaj të gjitha strukturat përkatëse të shoqërisë dhe shtetit tonë, duhet të shfrytëzojnë kompetencat e veta për të realizuar këto objektiva, e të mos humbasim këtë gjeneratë të çmuar nxënësish me interes për matematikë.
Ata falë aftësimit në këto gjimnaze matematikore, në të ardhmen nuk do të bëhen vetëm matematikanë, por edhe inxhinierë, arkitektë, ekonomistë, agronomë, mjekë, sociologë, politikanë etj. të dalluar të vendit tonë. Ata do të jenë ardhmëria e Kosovës…
(autori është profesor i matematikës)
