(2L ONLINE) Nuk mjafton goli i Visar Sermaxhajt i realizuar në pjesën e parë që skuadra e Gjilanit të kthehet me gjah të plotë nga Flamurtari. Gjilanasit janë dorëzuar në pjesën e dytë, teksa Granit Cana me dy gola u ka marrë fitoren nga duart.
Gjilani ka pësuar sërish nga një skuadër pretendente për ti shtuar vetës edhe më tej punë. Dueli derbi i javës së 12-të, në Ligën e Parë i ka takuar Flamurtarit që tani është ngjitur në pozitën e katër por me pikë të barabarta me vendin e dytë dhe të tretë KEK-un dhe Gjilanin që kanë nga 25 pikë.
Sermaxhaj ‘shkund’ vendasit
Ndeshja ka nisur furishëm me vendasit në aksion që nuk humbin shumë kohë për të ardhur deri te rasti i parë serioz. Kuq e zinjtë rrezikojnë në anë të Shpend Krasniqit i cili me një goditje nga 25 metra, për pak sa nuk e mposhti Faton Malokun qe e dëboi topin me mund në goditje këndi. Gjilani u kundërpërgjigj në minutën e 18 me Morinën, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.
Në minutën e 30 erdhi edhe goli i parë në ndeshje. Ishin mysafirët ata që shënuan me Visar Sermaxhajn nga goditja e dënimit në minutën e 30-të. Ky gol sikur i ‘shkundi’ vendasit që provuan të shënojnë vetëm pas pesë minutash me Agron Gashin që nuk qëlloj portën e zbrazët nga 4-5 metra. Djelmoshat e Musa Selimit i bëjnë ballë presionit dhe marrin me vete rezultatin në dhomat e zhveshjes.
Cana ndëshkon Gjilanin
Fillimi i fraksionit të dytë nisi keç për gjilanasit që nuk mundën të rrezistojnë më shumë se dy minuta. Vendasit sulmojnë përmes Muhamet Gashi që futet bukur në zonë dhe gjuan në drejtim të portës, ndërsa njëri nga mbrojtësit luan me dorë sipas gjyqtarit Kreshnik Vula i cili tregon në pikën e bardhë. Nga penalltia i saktë ishte Granit Cana që barazon shifrat në 1:1.
Nuk voni shumë dhe Flamurtari kaloi në epërsi. Pas një rivënie me duar në zonë nga Muhamet Gashi topi vjen te Granit Cana i cili me të parën gjuan dhe shënon për 2:1. Flamurtari rrezikoi edhe përmes Agron Gashit i cili niset bukur nga e djathta kalon një futbollist pason në zonë për Sjarininë por mbrojtja largon. Në minutat e mbetura të lojës futbollistët e Gjilanit u munduan maksimalisht që të paktën të nxjerrin një pikë nga ky udhëtim i vështirë, mirëpo të gjitha rastet e tyre përfunduan pranë portës së Hajdinit që ishte me fat në këtë takim. Kështu, Gjilani merr disfatën e tretë me vete deri sa në vikendin tjetër pret Vllazninë në shtëpi.
Flamurtari – Gjilani 2:1
Stadiumi i Flamurtarit
Shikues:300
Gjyqtarë: K. Vula, B. Këpuska, L. Gegaj.
Shënues: Cana 48’ (pen), 54’ – Sermaxhaj 30’.
KV: M. Gashi, Kabashi, Ahmeti – Maliqi.
Flamurtari: Hajdini, Syla, Troshupa, Hasani, A. Gashi (Makolli), M. Gashi, Krasniqi, Sjarina (Avdyli), Kabashi, Ahmeti, Cana (Qorri). Trajner: Jusuf Tortoshi.
Gjilani: Maloku, Hyseni, Emini, Shaqiri, Mustafa, Morina (Marovci), Sermaxhaj (Ferati), Jashari, Blakqori (Ramadani), Kosumi, Maliqi. Trajner: Musa Selimi.
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/
Foto: kf.flamurtari