Gjilanin po e mbulojnë mbeturinat! (FOTO)
/2L ONLINE/ – Se punëtorët e Kompanisë EcoHigjiena në Gjilan janë në grevë dhe se ndër tjerat, nuk po grumbullohen as mbeturinat, kjo tani ka zënë të shihet në çdo cep të qytetit, nga grumbulli i mbeturinave, duke i dhënë një imazh të keq qytetit. Më e keqja është se nuk po ka reagim për të ardhur deri tek një zgjidhje, as nga institucionet, por kjo çështje duket se i ka zënë në gjumë edhe opozitën edhe shoqërinë civile edhe qytetarinë aktive, që tektuk nëpër profile në FB, ankohen për “ekspozitën” e mbeturinave që po shihet kudo në qytet, asgjë më shumë! Sot, po përfundon edhe dita e tretë e grevës, por siç bëjnë të ditur nga Këshilli i Punëtoreve të Kompanisë, ajo do të vazhdojë edhe në ditët tjera.
Siç kemi shkruar edhe më herët, përkatësisht në ditën kur rifillojë greva Këshilli I Punëtorëve në “Eco-Higjiena” e kishte vënë në dijeni edhe kreun e Komunës së Gjilanit, për nisjen e bojkotit të punës nga punëtorët e Kompanisë EcoHigjiena.
Siç dihet, Këshilli i Punëtorëve i Kompanisë “EcoHigjiena” – Gjilan, Viti, Kamenicë, në shkresën e fundit që i kishte adresuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, por duke vënë në dijeni edhe Komisionin e Aksionareve dhe Bordin e Drejtorëve të kësaj Kompanie, kishte kërkuar të shkarkohet ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefit, në këtë Kompani, dhe të emërohet një ushtrues i ri, në këtë pozitë, deri në zgjedhjen e kryeshefit sipas konkursit.
Përndryshe, punëtorët kanë edhe kërkesa të tjera, por vlerësohet se përmbushja e kësaj kërkese do ta ndalte bojkotin dhe për të tjera kërkesa do të përdoreshin rrugë tjera, si komunikimi mes palëve, ndërkohë që kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për këtë hap të tyre, por që sipas tyre, ishte e pashmangshme.
Përndryshe, Këshilli i Punëtorëve i Kompanisë “EcoHigjiena” ka kërkuar sot falje nga klientela që e vlerëson shumë të respektuar, për shkak të mungesës së kryerjes së shërbimeve, të cilën e ka obligim kompania, por siç thonë, “dihet se ka vite, që nga moment I futjes në partneritet, kemi qenë të diskriminuar në të gjitha aspektet gjithashtu edhe tani pas lutjeve të shumta që I kemi bërë partnerit private dhe komunave të përfshirë në procesin e partneritetit nuk kemi mundur të gjejmë gjuhën e përbashkët në drejtim të përmirësimit të kushteve tona. Siç dihet ne punojmë edhe nëpër shi e borë, të zbathur dhe te zhveshur, jo pse kemi qejf mirëpo ne me pagat që i marrim nuk mund të sigurojmë as mbijetesës minimale”.
Më tej ky Këshill vlerëson:
“Partneri privat ka plaçkitur këtë firmë, na ka shitur kamionat, na ka vjedhur paranë e gatshme, na ka future në borxhe, është ka na shantazhon dhe diskriminon, tani ka paralajmëruar edhe ndërprerjen e kontratave të punës, e çka jo tjetër. Është ka menaxhon me një grup të vogël të njerëzve të cilët nuk e kanë as përgatitjen profesionale, po as mendësinë e menaxhimit, me një fjalë se kanë as besimin e familjes së vet.
Ne edhe njëherë ju kërkojmë falje, mirëpo është e pa mundur te funksionojmë, të vazhdojmë me tutje pa zgjedhjen e një drejtori të ri nga ana e bordit e posaçërisht e komunës sepse partneri privat nuk ka investuar asgjë, ndërsa është ka na merr të gjitha, këtë nuk do ta tolerojmë do ta mbrojmë atë që ka mbetur”. /2L ONLINE/







