(2L ONLINE) – Skuadra e Gjilanit është mposhtur në Prizren nga Liria me rezultat minimal, 1:0. Përkundër paraqitjes së mirë djelmoshat e Musa Selimit u kthyen duarbosh nga qyteti antik i Kosovës.
Derbi ndërmjet dy ish-skuadrave elitare ndërmjet Lirisë dhe Gjilanit ka përfunduar me fitoren e “Arpagjikëve” të cilët falë golit të Alsen Ramës i gëzohen tre pikëshit të radhës, deri sa i kalojnë gjilanasit në klasifikim.
Shtylla “aleat” i prizrenasve
Pjesë loja e parë ishte e niveluar, mirëpo rastet më të mira iu treguan gjilanasve të cilët ishin të pafat në dy raste pasi qëlluan shtyllën. Qendërmbrojtësi, Ylber Kastrati provoi dy herë ti kalonte të kuqtë në epërsi, mirëpo fati nuk e përcolli në asnjërën goditje me kokë, pasi shtylla dy herë e ndali atë duke u bërë kështu “aleat” i prizrenasve.
Goli i ndëshkimit
Me të filluar pjesa e dytë, dy skuadrat u bënë më kërkuese duke tentuar ta gjejnë golin e zhbllokimit. Dhjetë minuta pasi filloi fraksioni i dytë prizrenasit ia dalin të realizojnë në një aksion në të cilin konbinuan Mullallari dhe Fetahaj deri sa topi mbërrin tek Alsen Rama që e përfundon me gol.
Në përpjekjet e gjilanasve për ta barazuar rezultatin veçohet mundësia e Visar Sermaxhajt, por goditja e mesfushorit ka shkuar mbi portën rivale.
Ndërkohë që ndeshja mbyllet me fitoren minimale të Lirisë, futbollistët e Gjilanit duhet ta përjetojnë zhgënjimin e parë këtë sezon dhe të zbresin dy pozita më poshtë në klasfikim.
Në ndeshjen e rradhës ndaj Deçanit, gjilanasit do të kërkojnë të rikthehen tek fitorja.
Liria – Gjilani 1:0 (0:0)
Stadiumi “Përparim Thaqi” në Prizren
Shikues: 300
Gjyqtarë: Nazmi Raci, Erdoan Baliqi, Ramadan Hyseni
Golashënues: Alsen Rama 55’
/Drilon SYLEJMANI/2L ONLINE/