Gjilani vazhdon traditën

Gjilani vazhdon traditën

Gjilani vazhdon traditën e sukseseve në garat e matematikës. Ekipi i Kosovës në IMO 2017 në Brazil do të përbëhet gati se nga i tëri nga gjilanasit.

Festim Shkodra, profesor i matematikës

Më 18/03/2017 në hapësirat e FSHMN-së në Prishtinë, u mbajt Testi Përfundimtar -TST për përzgjedhjen e ekipit të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës – IMO 2017 që do të mbahet më 12 – 23/07/2017 në Rio de Janeiro, në Brazil. Ky test u mbajt nën përkujdesjen e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (SHMK).
Në bazë të suksesit të treguar në TST 2017, Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga këta nxënës:

1) Shend Zhjeqi
2) Alban Elezi
3) Viktor Ahmeti
4) Gramos Nikqi
5) Flutura Shabani dhe
6) Ardita Berisha

Ku me këtë rast vlen të përmendet se 2/3 e ekipit përfaqësues të Kosovës do të përbëhet nga gjilanasit:

1) Alban Elezi
2) Viktor Ahmeti
3) Flutura Shabani dhe
4) Ardita Berisha

Me këtë Gjilani edhe një herë po vazhdon traditën, si burim i talentëve të rinj të matematikës dhe po arsyetohet emërtimi Gjilani- Qytet i Matematikës prej të tjerëve. Sepse këta nxënës shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët e kanë kryer në shkollat e Komunës së Gjilanit dhe njëkohësisht ishin pjesëmarrës të suksesshëm të olimpiadave matematike të Gjilanit.

Prandaj suksesi i tyre pos që i dedikohet talentit vetiak dhe përgatitjes së tyre në shkollat ku tani i vijojnë mësimet si dhe nga instruktorë jashtë tyre, rol të madh në këto rezultate, ka edhe përgatitja matematike e mëhershme e tyre.

Përgatitje kjo që fillon nga shkollat e Komunës së Gjilanit dhe mësimdhënësit e vyeshëm të tyre. Por rol me rëndësi në formimin e tyre matematik, ka edhe pjesëmarrja e tyre e vazhdueshme dhe e suksesshme në garat e organizuara me një standard tejet të lartë në këtë komunë, për çka gjilanasit edhe janë shembull në nivel vendi.

Por kuptohet pa i përjashtuar këtu as garat e matematikës të organizuara në nivel vendi nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës dhe ato gjithëkombëtare që mbahen anembanë trojeve shqiptare dhe organizohen nga revista matematikore ,,Plus” e Tetovës.

Vitin e kaluar matematikanja e re gjilanase Doruntina Sylejmani i solli medaljen e parë Kosovës nga këto olimpiada, gjegjësisht nga IMO 2016 në Hong Kong.

Këta talentë kanë nevojë për një përkrahje sa më të madhe dhe të vazhdueshme të shoqërisë sonë për ta. Investim ky që shtetit tonë do t’i rikthehej shumëfish në të ardhmen.

I urojmë shumë sukses ekipit të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës – IMO 2017 më 12 – 23/07/2017 në Brazil, ku shteti ynë do të marrë pjesë në mesin e 114 shteteve të botës.

KOMENTE