(2L ONLINE) – Skuadra e Gjilanit iu është kthyer sërish fitoreve deri sa në shtëpi e mposht Deçanin me shifrat 3:1. Tre gola për tri pikë të reja, por mbi të gjitha, një ndeshje e bukur për ata pak të pranishëm që ishin për ta përcjellë këtë ndeshje.
Gjilani ka lënë prapa humbjen në Prizren, deri sa këtë fundjavë iu është rikthyer fitoreve. Skuadra gjilanase gjunjëzoi Deçanin në shtëpi, falë një loje të bukur të aplikuar nga djelmoshat e Musa Selimit.
‘’Kemi kontrolluar lojën gjatë gjithë ndeshjes, hiq minutat e fundit në të cilat pranuam një gol naiv. Kemi krijuar shumë raste mirëpo arritëm ti finalizonim vetëm tre. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mi të cilët sot krijuan një lojë shum të bukur për publikun që besoj se ka mbetur i kënaqur nga ajo çfarë kemi treguar’’, ishin fjalët e teknikut gjilanas lidhur me ndeshjen.
Gjilani do te ketë punë mjaft të vështirë në mesjavë, pasi i shkon skuadrës lidere dhe njëherësh konkurrentit kryesor për titullin kampion, Llapit. Në interesimin e Portalit Informatvi Rajonal ’2L ONLINE’ për ndeshjen e ardhshme, tekniku Selimi u përgjigj:
‘’Do të jetë një ndeshje e vështirë përballë një rivali që për objektiv gjithashtu e ka elitën, megjithatë nuk është aspak përcaktuese. Mirëpo, ne do të shkojmë për fitore si në çdo ndeshje tjetër. Do të aplikojmë futboll të hapur dhe me një referim të mirë besoj se do të kthehemi të pamposhtur nga Llapi’’.
Raste me bollëk, por jo dhe gola
Ndeshja fillim e mbarim iu takoi gjilanasve, mirëpo përkundër rasteve të shumta të krijuar në gjysmë lojën e parë, rrjetat mbetën të paprekura. Vetëm në dhjetë minutëshin e parë të lojës, vendasit krijuan tri mundësi të mira shënimi, por që nuk dhanë frytin e duhur. Gardiani mysafir Besnik Rabushaj ishte pengesë për dy sulmuesit Ilir Blakçorri dhe Vllaznim Jashari ky i fundit me dy tentime që të mos realizonin dot. Deri sa edhe fundit i pjesës së parë u përshkrua me një mori rastesh të bardhekuqëve. Pes minutat para mbylljes së fraksionit të parë, Beqir Tolaj ka larguar me kokë topin nga vija fundore pas goditjes me kokë të Jasharit duke i pushuar rrjetat për 45 minutat e parë.
Shpërthimi i gjilanasve
Dukej se gjithçka ishte e rezervuar për pjesën e dytë të lojës. Raste, gola e spektakël e karakterizuan Gjilanin e pjesës së mbetur të lojës. Menjëherë me tu rikthyer në fushë kapiteni, Filonit Shaqiri lanson një projektil drejt portës mysafire duke treguar rrezikun që do ti priste në vazhdimin e ndeshjes.
Ashtu edhe ndodhi, teksa zëvendësuesi Visar Sermaxhaj përfiton nga një shërbim i Jasharit në minutën e 65-të, për ta vulosur topin drejt rrjetës për epërsinë minimale të vendasve, 1-0.
Goli avantazhit vetëm sa u shtoi oreksin nikoqirëve të cilën realizuan edhe dy herë të tjera. Një goditje e Ylber Kastratit nga gjysma e fushës ka përfunduar në rrjetën e Rabushajt i cili reagon ngathët, për ta ngritur epërsinë, 2-0.
Sikur nuk u mjaftoi ky gol, vendasit realizuan edhe njëherë në minutën e 77-të përmes Sermaxhajt që pasi shmang mirë mbrojtjen vendase qëllon drejt portës për 3-0.
Fundi i ndeshjes solli edhe golin e nderit për udhëtuesit, që realizojnë përmes Bruqit nga goditja e dënimit. Pos këtij golit Deçani merr me vete edhe një humbje që megjithatë nuk e lëviz nga mesi i tabelës me 9 pikë të grumbulluara deri sa Gjilani rikthehet në pozitën e tretë me 16 pikë, një më pak se lideri Llapi.
Fitoren e Gjilanit e sheh plotësisht të merituar trajneri i Deçanit, Shyqri Zeqiraj deri sa thotë se ata fituan vetëm pas gabimeve individuale të repartit defansiv të skuadrës së tij.
‘’Kemi gabuar në mbrojtje deri sa Gjilani i shfrytëzoi ato dobsi tona për të na ndëshkuar. Gjilanit iu uroj plotësisht fitoren deri neve sna mbetet tjetër pos të punojmë për ndeshjet e ardhshme’’.
Gjilani – Deçani 3:1 (0:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 200
Gjyqtarë: Arben Halilaj, Nexhmedin Bala, Fatmir Kiqina
KV: Hyseni, Shaqiri – Sokolaj, M.Tolaj
Shënues: Sermaxhaj 65′, 77′ , Kastrati 73′ – Bruqi 90+3
Gjilani: Maloku, Hyseni, Kastrati, Emini, Beqiri (Sermaxhaj), Mustafa (Maliqi), Shaqiri, Kosumi, Ferati (Morina), Jashari, Blakçorri.
Deqani: Rabushaj, Shehaj, B.Tolaj, Loshaj, Bajraktari, Sokolaj, Alimusaj (Tolaj), M.Tolaj, N.Boshtratj (Kasumaj), Bruqi, Berisha (Nimaj).
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/