Komuna e Gjilanit ka themeluar të mërkurën Këshillin Publik-Privat (KPP), me mbështetje të programit të USAID-it, Qeverisja e Pronës, në ngjarjen ku mori pjesë nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina-Bunjaku, zëvendësdrejtori i Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës, Ramadan Klisurica, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani e përfaqësues të bizneseve.
Në emër të kryetarit Alban Hyseni, në këtë ngjarje ka folur nënkryetarja Morina-Bunjaku, e cila tha ky Këshill është një mekanizëm konsultativ jo-formal dhe këshillëdhënës për Kryetarin e Komunës, për të ndarë përvojat së bashku.
“Ky mekanizëm lehtëson konsultimet mes kabinetit të kryetarit dhe sektorit privat me qëllimin kryesor për të përmirësuar kornizën ligjore në fushën e së drejtës së pronës për të nxitur investimet në Komunë tonë”, ka thënë Morina-Bunjaku.
Gjithashtu, ky këshill do të lehtësojë dialogun dhe konsultimin për rregulloret komunale të cilat ndikojnë në të bërit biznes, buxhetin komunal, planin e prokurimit, dokumente strategjike komunale dhe dokumente e çështje të tjera që propozohen nga kryetari i Komunës ose nga sektori privat.
Në këtë ngjarje është diskutuar mbi sfidat dhe çështjet e ndërlidhura me menaxhimin, dhënien dhe këmbimin e pronës komunale, partneritetin publiko-privat dhe mbështetjen e bizneseve me pronare gra. /2LONLINE/