Me shkas – Festivali i dramës Shqipe “Talia e Flakës 2014”
Ora 7 e mbrëmjes!
Në çast pushon zhurma e pëshpëritjes së qytetarëve, të cilët prisnin të hapeshin dyert e sallës së teatrit. Dëgjoheshin lehtas hapa që kërkonin një vend për tu ulur dhe fjalë gjysmëzëri, deri atëherë kur ndaleshin dritat e sallës së madhe, e ndizeshin aty ku të gjithë sytë tanë përqendroheshin.
Të qeshura, kureshtje, interesim e besa edhe duartrokitje shoqëronin lojën e aktorëve, derisa dritat ndizeshin prapë dhe të gjithë ngriteshin në këmbë për ti duartrokitur ata që sollën art, pak ditë në qytetin tonë.
E tani, po e njëjta heshtje pranë Teatrit të Gjilanit. Po e njëjta zymtësi…
“Flaka e Janarit”, vazhdon të jetë tradicionalisht e respektuar në Gjilan, duke ofruar kështu brenda një muaji, aktivitete të shumta si kulturore po ashtu edhe patriotike për qytetarët e Gjilanit. Por, në veçanti përcillet “Talia e Flakës”, ku brenda pesë ditëve, salla e Teatrit të Qytetit është e stërmbushur me qytetarë të të gjitha moshave, të cilët përcjellin shfaqjet me një interesim të jashtëzakonshëm. Është për tu adhuruar gjallëria që i jepet qytetit brenda këtyre pak ditëve. Fryma e artit, kulturës dhe e së mirës mbështjellë çdo cep duke u kthyer në temë diskutimi nga një masë e të rinjve.
Një frymë që Gjilanit do ti shkonte për shtati, sikur të zbatohej akoma më shumë se kaq. Një rutinë që do të thyhej nga risitë që do të vinin për të rinjtë në veçanti, e sidomos në fushën e artit dhe kulturës. Një repertor teatror, që do ti siguronte të rinjve gjilanas një ambient ndryshe nga ato të kafiterëve, për të kaluar një mbrëmje me shoqëri. Një ambient argëtues e debatues në të njëjtën kohë.
Prandaj, të shpresojmë që kënaqësia e të qenit pjesë e një arti me të cilin u mëshiruam kaq shpejtë, të mos venitet, por ta rrisim atë, duke përcjellë të tjera shfaqje, të tjera orë letrare, të tjera evente kulturore në të ardhmen e afërt në qytetin tonë. /3lonline/
Labinot HYSENI
Autori është kryetar i Aleancës së të Rinjve ne Gjilan