Gjilani shpërndan mekanizim për 100 fermerë

Gjilani shpërndan mekanizim për 100 fermerë

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ka shpërndar sot mekanizim për 100 fermerë, ku 30 prej tyre janë spërkatëse të grurit, 20 kosë rotative, 15 rotofreza, 15 piatore, 15 grabuja dhe pesë mbjellëse misri.

Në ceremoninë zyrtare të shpërndarjes, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka rikofirmuar se bujqësia mbetet prioriteti i parë i qeverisjes.

“Jam i lumtur që nga sot do t’ua lehtësojmë punën 100 familjeve me këto pajisje. Do të vazhdojmë subvencionimin qind për qind edhe në farën e misrit për mbjelljes pranverore dhe me programe tjera buqjësore në mënyrë që prioritetet në buqjësi të ruhen. Mbetemi për mua si njerëzit që jeni duke e ndërtuar dhe mbajtur shtetin sepse bujqit janë themeli dhe ata me djersën e tyre, po i mbajnë familjet duke u bërë të pavarur nga çdo lloj ndihme”, ka thënë Haziri.

Ai tha se subvencionimi do të vazhdoj gjatë gjithë vitit, duke shtuar se do t’i vazhdojnë edhe partneritetet me programet e USAID, TIKA e agjencione të tjera.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bujqësisë, Vahid Aliu, është shprehur se gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë me shpërndarjen e farës së misrit, foli plastike për serra, sikurse edhe furnizim të bletarëve me 300 shoqëri bletash, ngritjn e 20 hektarëve me kulturë të arrave etj.

Aliu ka njoftuar se vlera e këtij subvencioni është mbi 58 mijë euro, me bashkëfinancim të fermerëve me 20 për qind. ​

KOMENTE