/2L ONLINE/ – Është mbajtur sot mbledhja e radhës së Bordit të Drejtorëve dhe të zyrave, nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Në mbledhje është folur konkretisht për rekomandimet e auditorit për secilën drejtori, ku kryetari Haziri tha se në bashkëpunim me Njësinë e Auditimit të Brendshëm do të shikohet progresi i arritur për të gjitha pikat.
Auditimi i Brendshëm që në fillim të vitit 2014 ka rekomanduar uljen e shpenzimeve në derivate dhe Komuna e Gjilanit ka shpenzuar 9569.39 derivate më pak krahasuar me vitin 2013, sikurse që ka ulje të shpenzimeve në të gjitha kategoritë.
Kryetari Haziri tha se edhe në këtë vit të qeverisjes po praktikohet ‘dietë’ e ashpër në shpenzime dhe nga kursimi i kësaj natyre do të ketë investime infrastrukturore për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.
Poashtu, kryetari Haziri ka kërkuar që të përfundohen edhe disa nga projektet e papërfunduara nga viti 2009 si pasojë e keq qeverisjes së kaluar.
Në mbledhjen e Bordit të drejtorëve, gjithashtu, është diskutuar lidhur me kryerjen e projekteve infrastrukturore në fshatin Bresalc, Dobërçan e Llashticë, sikurse edhe për projektet për komunitetet, siç është rruga në Shillovë, aneksi i shkollës në Pones dhe projekte për komunitetet tjera. /2L ONLINE/