/2L ONLINE/ – Filmi “Shok”, që është nominuar për çmimin OSCAR, në kategorinë e filmave të shkurtër, ka pushtuar zemrën e çdo shqiptari, kudo që jeton, i cili me padurim po e pret një lajm që mund të na gëzojë të gjithëve. Në ndërkohë, i tërë ekipi i angazhuar në këtë film, po merr përkrahje nga institucione e personalitete të ndryshme, por mbi të gjitha nga qytetarët artdashës. Një përkrahje e tillë po vije edhe nga Gjilani dhe gjilanasit, veçmas pasi pjesë e këtij filmi është edhe aktorja gjilanase Aurita Agushi.
Gjilanasit sonte në mënyrë të organizuar kanë zgjedhur kateterin “Te Papaku”, për të shikuar bashkërisht filmin “Shok”, që u dha në televizionin publik, dhe për ta nderuar kështu aktoren gjilanase Aurita Agushi, dhe për t’i thënë asaj se i tërë Gjilani është me të, dhe e pret me padurim, që bashkë me ekipin tjetër, të na kthehet në Kosovë me çmimin OSCAR.
Deri te ndarja e çmimeve kanë mbetur edhe pak orë, ndërkohë që ndeja do të vazhdojë deri në momentin kur pritet që kumtohet një lajm i mirë për Kosovën, sepse të gjithë janë optimist në mundësinë e fitores së filmit “Shok” sonte në ceremoninë “Oscars”. Filmi në fjalë, i cili garon në kategorinë ‘Best Live Action Short Film’, po konsiderohet favorit nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga kritika.
Po thuajse të gjithë të pranishmit në kateterin “Te Papaku”, që patën rastin ta shohin filmin “Shok”, vlerësuan këtë organizim në nderë të Auritës, e një pjesë e mirë e tyre thonë se do të vazhdojnë të qëndrojnë aty deri në kumtimin e rezultateve. Ata vlerësuan si të qëlluar këtë organizim të përkrahjes së mbarë ekipit, por në veçanti të aktores gjilanase Aurita Agushi, sepse është një respekt për të, apo më mirë të themi një kthim i respektit që gjilanasit po ua bëjnë asaj, sepse ajo qysh moti e ka nderuar dhe respektuatr qytetin dhe bashkëqytetarët e saj, me sukseset e arritura në profesionin e saj prej aktoreje, nëpër filma e shfaqje të ndryshme, ndërsa tani duke qenë pjesë e një filmi që është nominuar edhe për Oscar, e që shënon një të arritur të veçantë, që natyrisht prodhon pastaj edhe emocione më të veçanta.
Pra, kanë mbetur vetëm edhe pak orë nga ceremonia e ndarjes së çmimeve me prestigjioze në kinematografi, ku për herë të parë në histori Kosova është pjesë e kësaj ceremonie me filmin ‘Shok’. ndërkohë që tek gjilanasit emocionet janë në kulminacion. Ata po vazhdojnë të gjejnë forma të ndryshme për ta uruar tërë ekipin, e në veçanti aktoren Aurita Agushin, me: “Suksese Aurita, Gjilani është me ty”. /2L ONLINE/