Gjilani shkëlqen në garën mbarëshqiptare të matematikës “Fest Matematika 7”
“Me krenari të veçantë njoftojmë se nxënësit tanë, Ani Kosumi dhe Eni Kosumi, kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në garën mbarëshqiptare të matematikës “Fest Matematika 7”, e mbajtur në Durrës, duke fituar respektivisht vendin e parë dhe vendin e dytë në konkurrencë me nxënës nga të gjitha trevat shqiptare”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit.
Sipas njoftimit të tyre, kjo olimpiadë bashkoi talentet më të mira të matematikës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme bashkëpunimi, rivaliteti akademik dhe promovimin e talenteve të rinj shqiptarë në matematikë, transmeton Portali 2LONLINE.
“Vlen të theksohet se kurrikula e kësaj gare, e krahasuar me sistemin arsimor të Kosovës, është përafërsisht e ngjashme me nivelin e klasës së 8-të, gjë që e bën këtë sukses edhe më domethënës dhe dëshmi të përgatitjes serioze, talentit dhe përkushtimit të nxënësve tanë”, thuhet tutje në njoftim.
Për Shoqatën e Matematikanëve të Gjilanit, ky rezultat nuk është vetëm një fitore individuale, por edhe një dëshmi se talentet tona, kur identifikohen dhe zhvillohen si duhet, mund të arrijnë rezultate elitare në arenën mbarëshqiptare. /2LONLINE/
