Gjilani shënon 28 Nëntorin me homazhe te Kodra e Dëshmorëve dhe seancë solemne
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, të cilat kanë nisur me homazhe dhe nderime te Kodra e Dëshmorëve, në kujtim të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Pas homazheve, shënimi i kësaj date historike ka vazhduar me mbajtjen e seancës solemne të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku është kujtuar rrugëtimi historik dhe sakrifica e brezave për liri.
Me këtë rast, Hyseni ka theksuar rëndësinë e flamurit kuq e zi si simbol të bashkimit dhe të sakrificës kombëtare, duke nderuar të gjithë ata që kontribuuan për jetësimin e idealit të lirisë.
“Me flamurin kuq e zi u bë betimi për liri, dhe pikërisht me këtë emblemë në zemër ranë bijtë dhe bijat më të mira të vendit. Prandaj, 28 Nëntori na gjeti fillimisht te Kodra e Dëshmorëve, në nderim të atyre që e jetësuan këtë ideal me gjak dhe i dhanë kuptim lirisë tonë”, ka deklaruar Hyseni.
Në mesazhin e tij, kryetari i Gjilanit ka përcjellë edhe urimet për këtë festë, duke përfunduar me mesazhin: “Lavdi dëshmorëve të kombit! Gëzuar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!”. /2LONLINE/
