DYLON

Gjilani shënon 17 vjetorin e rënies së dëshmorit Abdullah Tahiri

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Me Homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, në Gjilan dhe me nderim para përmendores në fshatin Malishevë, është shënuar sot Dita e Shkollës fillore “Abdullah Tahiri” në Malishevë, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të shumtë të qeverisjes locale të kryesuar nga kryesuesja Bunjaku-Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtori i Arsimit Nazmi Musa, deputet të Parlamentit të Kosovës nga Gjilani dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se heronjtë janë themeli i shtetit të Kosovës, dhe janë ata të cilët sot na bëjnë të jemi krenar dhe më të vendosur për zhvillimin e vendit.

EkoHigjiena

“Heronjtë janë themeli dhe meritorët kryesor të lirisë së Kosovës. Ne jemi ata të cilët duhet dhe do të përulemi përherë para veprës së heronjëve, dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri. Ata dhanë jetën që ne të frymojmë lirshëm me interes të zhvillimit të vendit. Veqanërisht përkushtimi i kësaj shkolle duhet të jetë në pretendimet e një shkolle model dhe të zhvilluar, sepse Abdullahu dhe shumë dëshmorë të lirisë ranë që ne të gjallët sot të jetojmë dhe kemi të hapura të gjitha rrugët krahas shteteve më demokratike”, ka thënë ndër të tjerash Bunjaku-Rexhepi.

Ajo më tej ka potencuar se u takon nxënësve dhe mësimdhënësve që kjo shkollë të jetë identitet i lartë i Malishevës, Gjilanit dhe Kosovës.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, në shënimin e kësaj dite ka thënë se kjo datë është një nderim që të gjithë ne i bëjmë veprës e dëshmorit të kësaj ane.

“Sot nderojmë dëshmorin “Abdullah Tahiri”, nderojmë veprën e tij për lirinë dhe ndërtim të vendit. Ne sot krenohemi me sukseset e shkollës dhe ecjen drejtë synimeve të arsimit në Kosovë. Abdullahu ka dhënë jetën që ne sot të jetojmë të lirë, të zhvillohemi dhe të jemi pjesë e proceseve në ndërtimin e vendit. Duhet të punojmë edhe më shumë që ideali i të rënëve për liri të jetësohet në praktikë. Jemi të përkushtuar që krahas punës sonë të nderojmë edhe të rënët për liri”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Musa.

Ndërsa, drejtori i shkollës fillore “Abdullah Tahiri” Rashit Sahiti, ka thënë se 19 maji është ditë e rëndësishme sepse shënon rënien e heroit tonë, i cili ka rënë për të mos vdekur kurrë.

“Dita e shkollës sonë është ditë e krenarisë sepse mbanë emrin e dëshmorit Abdullah Tahiri. Po zhvillohemi përditë e më shumë në aspektin e infrastrukturës shkollore por edhe në aspektin e sukseseve të nxënësve dhe shkollës në përgjithësi”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ndryshe, shënimi i Ditës së Shkollës “Abdullah Tahiri”, është përcjellur edhe më një program të pasur kulturoro-artistik, të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.​ /2L ONLINE/