DYLON

Gjilani së shpejti do të nis ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në konferencën e organizuar me gazetarë, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Nexhat Hajrullahu, i cili shoqërohej edhe nga dy drejtorët e tjerë, ai i QKMF-së, Fejzullah Berisha dhe Mursel Zymberi nga QPS-ja, kanë dhënë në mënyrë telegrafike zhvillimet në tremujorin e parë të punës në këtë resor, duke përmbledhur të arriturat por edhe sfidat që kanë për çdo ditë pune.

Në konferencë u tha se shërbimet shëndetësore, asistenca sociale, përkujdesia e mirëqenies në përgjithësi si dhe aktiviteti i solidaritetit për familjet pa kulm mbi kokë, janë pjesë e përditshme e punëve të kësaj Drejtorie, karshi edhe shumë projekteve dhe përgjegjësive të tjera që ka kjo fushë në qeverisjen komunale të Gjilanit, deri edhe tek përgatitjet që kanë të bëjnë me fillimin e ndërtimit të objektit të ri dhe modern të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

EkoHigjiena

Me këtë rast drejtori Hajrullahu, ka thënë se shërbimet shëndetësore dhe ato sociale janë duke u ofruar maksimalisht nga resori i shëndetësisë në qeverisjen komunale.

“Pos vlugut të madh të punëve në resor të ndryshëm brenda kësaj Drejtorie, ne mbështesim me subvencione edhe HANDIKOS-in, shoqatën e shurdh memecëve, Shoqatën e të Verbërve, shoqatën ‘Anamorava’, OJQ “Pema”, Strehimoren “Liria”, pastaj familjet e strehuara të cilave Komuna u paguan qeranë mujore, por gjithashtu në raste të veçanta subvencionohen edhe raste të tjera në kategorinë e barërave, mjekimit dhe asistencës tjetër”, ka thënë Hajrullahu.

Drejtori Hajrullahu, poashtu, bëri të ditur se në periudhën janar-mars 2016, nga buxheti i DSHMS-së, janë ndarë subvencione në vlerë prej 42 mijë e 868 euro, ndërsa nga fondi i veçantë janë paguar qeratë mujore për familjet pa kulm mbi kokë, në vlerë prej 29 mijë e 300 euro.

“Për tre muaj, mbi 74 mijë vizita nëpër ambulanta”

Ndërsa në shëndetësinë primare shërbimet shëndetësore vazhdojnë të jepen për çdo ditë dhe sipas drejtori të QKMF-së, Fejzulla Berisha, vetëm në tremujorin e parë ka pasur gjithsej 74 mijë e 523 vizita, prej të cilave 10 mijë e 154 prej tyre ose 13.62 për qind kanë qenë referime.

“Falë projektit të përbashkët me Caritas-in dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, kemi arritur që të mbulojmë terrenin e Komunës së Gjilanit në shkallë maksimale, duke bërë që edhe shërbimet të përmirësohen shumfish më shumë. Poashtu shumë shpejtë presim që të nis edhe ndërtimi i objektit të ri dhe modern të QKMF-së, projekt që është në fazën e parakualifikimit”, tha Berisha.

“Kurse sa i përket furnizimi me barëra nga lista esenciale, asnjëherë nuk ka qenë më mirë se sa në këtë vit dhe presim që kështu të vazhdohet edhe më tutje, në një bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse kjo është një mbështetje e madhe për pacientët të cilët vizitojnë shëndetësinë primare”, është shprehur Berisha.

Drejtori Berisha, poashtu, ka përmendur edhe projektin tjetër me shumë rëndësi, atë të kontrollave sistematike në nxënësve nëpër shkolla, si dhe organizimet e trajnimeve të ndryshme në fushën e shëndetësisë, duke vënë theksin edhe në angazhimet që janë duke u bërë në vizitat shtëpiake me theks për përkujdesj për nënat dhe fëmijët.

1100 familje përfitojnë nga skema sociale

Ndërsa në sektorin e Qendrës për Punë Sociale, informatën e ka dhënë drejtori, Mursel Zymberi, i cili ka thënë se ende problemet sociale, respektivisht gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë, është problematikë e madhe sikur që edhe Gjilani përballet me këtë kategori.

“Numri i familjeve të cilat janë përfitues të skemës sociale në Gjilan është 1100 familje, por ka edhe një numër tjetër mjaftë të madh që është në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, megjithëse ka mbështetje të madhe në forma të ndryshme nga ana e Komunës së Gjilanit dhe donatorëve të tjerë. Poashtu. kemi edhe rastet tjera që kërkojnë energji dhe përkushtim shumë të madh siç janë rastet e dhunës në familje, konflikti me ligjin nga adoleshentët, të moshuarit në nevojë, familjet me sjellje asociale, këshillime martesore, martesa e të miturve, persona me aftësi të kufizuara fizike etj”, ka përmbledhur në paraqitjen e tij para gazetarëve, drejtori i QPS-së Mursel Zymberi. /2L ONLINE/