Gjilani rrënon një objekt, po ndërtohej në pronën komunale

Gjilani rrënon një objekt, po ndërtohej në pronën komunale

Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria e Inspekcionit, ka bërë rrënimin e objektit të ndërtuar në pronën komunale në lagjen “Arbëria” dhe do të vazhdoj në këtë formë me të gjitha ndërtimet-uzurpimet e pronës komunale.

Drejtori i kësaj drejtorie, Nevzad Rushiti, ka potencuar se uzurpimi i pronës komunale dhe ndërtimi pa leje është një vepër e rëndë që krahas kësaj, çdo shkelës i këtyre rregullave, përpos rrënimit mund të përballet edhe me organet e drejtësisë.

“Sot jemi në lagjen “Arbëria”, ku kemi bërë rrënimin e objektit i cili po ndërtohej në prone publike. Në këtë hapësirë do të bëhet ndërtimi i stadiumit ndihmës të futbollit. Mirëpo, krahas këtij veprimi të ndërmarrë ndaj këtij objekti, inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe po zbatojnë detyrën zyrtare konform ligjit, duke bërë shiritime, procesverbale, ndërprerje të punimeve e deri te rrënimet sikur rasti i sotëm”, ka thënë mes tjerash drejtori Rushiti.

Rushiti, gjithashtu, ka apeluar të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent, sepse blerja e pronës komunale nga kushdo qoftë, apo edhe investimi në ndërtim janë vepra penale dhe përpos humbjeve të tyre materiale, çdo shkelës do të përballet me organet e drejtësisë, sepse prona komunale është e patjetërsueshme dhe nuk lejohet ndërhyrja e paautorizuar në të.

KOMENTE