Gjilani qyteti ku ishte krijuar pjesa e historisë së enigmatikës shqiptare!

Gjilani qyteti ku ishte krijuar pjesa e historisë së enigmatikës shqiptare!

(Me rastin e 40-vjetorit te botimit te revistes se enigmateve, “HORIZONTI” 1981-2021 si dhe 40-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” të Gjilanit, 1980-2020).

Shkruan: Rexhep HASANI

Viti 1980, ishte viti kur disa të rinjë student, entuziastë dhe dashamirës të enigmatikës u organizuan në një tubim nismëtarë në Gjilan për të themeluar Shoqatën e Enigmatëve , “Ndre Mjeda”, gjë që me këtë, kjo shoqatë, dhe ka bërë hapat e para, nje vit me pas ( pikerishte me 15 janar te vitit 1981), kur edhe botojnë revisten e pare shqiptare për enigmatikë me titull, “Horizonti”, njekohesishte e vetmja e llojit ne bote e cila sivjet me 15 janar 2021, mbushë plotë 40-vjet nga dalja e numrit të parë, para dashamirësve të enigmatikës.

Dr. Zijadin Hasani (nismëtari dhe doajeni i enigmatikës shqiptare), sikurse entuziastë te atëhershëm të lëmisë së enigmatikës, si ing. Xhelal Selmani, ing. Fadil Dërmaku, ing. Shemsedin Kryeziu, ing. Abdylmexhit Selmani, piktor grafik Rasim Vllasaliu, si studentë të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, vunë themelin dhe formuan Shoqatën e Enigmatëve me emrin e linguistit dhe rilindësit tonë të njohur, “Ndre Mjeda”, e që më pas në 15 janarin e vitit 1981, nxorrën revistën e vetme të këtij lloji me emrin “Horizonti”.

Revista “Horizonti” dha një ndihmesë në shënimin e ngjarjeve historike, personaliteteve shqiptare, por edhe të historisë botërore, kurse shumë shpejtë shoqatës dhe redaksisë së “Horizontit”, iu bashkuan, edhe albanologu, Xhevat Ruhani, ing.Ymer Mustafa, Adnan Sllamniku, Rexhep Hasani, Avdush Canaj e të tjerë.

Roli i enigmatëve gjilanas në Kosovë dhe jo vetëm, është shquar lartë gjatë kësaj periudhe 40-vjeçare, ku përshkruan periudhën qe për herë të parë, shqiptarët në Kosovë, te organizojne një aktivitet të quajtur “enigmatikë”, e që atëherë, nuk u njihte dhe nuk iu jepte rëndësi të veçantë, edhe pse puna dhe angazhimi i të rinjve gjilanas, këtë e konsideronin më shumë se aktivitet të lirë apo hobistikë.

Gjilani, atëherë paraqiste një megaqytet shqiptar të enigmatikës mbarekombetare, ku gjetën strehim qindra bashkëpunëtorë nga mbare Kosova dhe me gjere, që me një entuziazëm të pashoqë, u angazhonin me punimet e tyre të para nga lëmi i enigmatikës që edhe ata në një mënyrë të jenë pjesëmarrës në dhënien e kontributit të tyre në lëmin e enigmatikës shqiptare, e që atëherë shumë pakë apo fare nuk ishte i popullarizuar ndër ne. Dhe po ky megaqytet (enigmapolisi) ishte i pari që vuri themelet në zhvillimin e enigmatikës shqiptare në Kosovë.

Puna dyzetvjeçare të veprimtarisë së kësaj shoqate të enigmatëve gjilanas, është padyshim vlerë e madhe për brezat që do të vijnë. Autorët e lartëpërmendur kanë dëshmuar se gati për kater dekada kanë grumbulluar pa u lodhur punën dhe veprimtarinë e enigmatëve në Kosovë. Ky përkushtim jo vetëm se dëshmon interesimin e themeluesve të enigmatikës shqiptare, por paraqet edhe unin krijues, me qëllim që gjeneratave t’u lihet e shkruar kjo periudhë e angazhimeve të enigmatëve gjilanas.

Përpjekjet e enigmatëve të SHE “Ndre Mjeda” te Gjilanit, ishin shtrirë në të gjitha drejtimet, për çka autorët nuk i kishin lehtë të grumbullojë e sistemojë aktivitetin në të gjithë territorin e Kosovës, sikurse dhe pjesëmarrjes së tyre në Kongrese dhe gara të enigmatëve që organizoheshin në evrope dhe mbarë botën.

Gjilani, qyteti pikërisht aty ku ishte krijuar kjo pjesë e historisë së enigmatikës shqiptare, ishte një përjetim i mirë i enigmadashësve, kur pas një viti (1981) me dëshirën dhe mundin e tyre për qëllimin: të shkruajnë historinë në enigmatikën shqiptare, nxorrën në dritë revistën e parë shqiptare me punime nga lëmi i enigmatikës me emrin “Horizonti”, vit ky kur rinia studentore shqiptare, u ngrit kundër diskriminimit të popullit etnik shqiptarë në Kosovë me organizimin e demonstrative te studenteve shqiptarë.

Kjo shoqatë ishte dhe mbetet një nga shoqatat më të fuqishme që ka mbajt aktivitetin e sajë të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e saj dhe drejtpërdrejtë ka korrur rezultate të mëdha në popullarizimin dhe ngritjen në nivelin e kombeve tjera enigmatikën shqiptare.
SHE “Ndre Mjeda”, ishte artikullues e një vizioni të qartë të një lëmi siç ishte enigmatika. Kjo shoqatë, diti më së miri të sublimojë këtë energji e këtë ndjenjë dhe ta thotë atë më së miri para nesh e para botës se edhe Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë çka të japin enigmatikës botërore.

Shoqata e enigmatëve gjilanase ishte themeluese e Federatës së Enigmatëve të Kosovës (FEK), kryetar I pare I sajë u zgjodh Dr. Zijadin Hasani, pastaj angazhimit të sajë në themelimin e shoqatave si motra në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Me datën 23 prill të vitit 1988, ShE “Ndre Mjeda”, organizon Takimet e para të Enigmatëve të Kosovës, manifestim unik i enigmatëve të Kosovës, ku marin pjesë mbi 50 pjesëmarrës nga mbarë Kosova dhe Lugina e Preshevës, në të cilën bënë gara nëfusha të ndryshëm qe I perkiste enigmatikes.

Muaji maj i vitit 1994, ishte viti kur u mbajtën Takimet e dyta të Enigmatëve të Kosovës, në të cilën morën pjesë më shumë se 40 enigmatë nga mbarë Kosova. Në garën e zgjidhësve të enigmave, përkatësisht i përpiluesve të enigmave tre më të mirët ishin: Arlind Boshnjaku (Prishtinë), i dyti Bekim Ismajli (Gjilan), i treti Gëzim Gjini (Gjakovë).

Ndërsa në përpilimin e enigmave, më i miri doli Driton Sejdiu (Prishtinë), i dyti Riza Bërbatovci (Lipjan) kurse i treti Gëzim Gjini (Gjakovë). Më të mirët u nderuan me shpërblime dhe diploma përkatëse nga SHE “Ndre Mjeda”.

Gjatë takimit, u mbajt edhe një tryeze e rrumbullakët me temën, “Enigmatika formë specifike e krijimtarisë mendore”, të cilën referoi dr.Zijadin Hasani. Kontribut në këtë tryezë dhanë edhe dr.Kadri Bicaj, Xhelal Abrashi, Xhevat Ruhani etj.

Po ashtu, në këtë takim u formua këshilli nismëtarë për themelimin e Federatës së Enigmatëve të Kosovës (FEK), ku në gjirin e sajë do të jenë katër shoqatat e enigmatëve të Kosovës, ai i Gjilanit, Rahovecit, Prishtinës dhe Gjakovës. Selia e FEK-ut u dakordua të jetë Gjilani.

Në kampionatin Botërorë të Enigmatëve që u mbajt në Stamboll të Turqisë, Kosovën e përfaqësuan enigmatet e Shoqates se Enigmatëve “Ndre Mjeda” te Gjilanit. Ky kampionat Botërorë, ishte Takim i Shtatë i radhës, ku morën pjesë 16 shtete, në mesin e të cilave në nivel të barabartë ishte perfaqeusese edhe Kosova, që kësaj here u përfaqësua nga ekipi i enigmatëve të ShE “Ndre Mjeda” të Gjilanit, të prirë nga dr Zijadin Hasani, themelues dhe kryeredaktor i revistës së parë te enigmatikës te ne “Horizonti”.

Pjesëmarrësit gjilanas, shfrytëzuan takimin edhe për propagandimin pozitiv të enigmatikës shqiptare dhe të çështjes sonë, duke shpalosur dhe shpërndarë informatorin në gjuhën angleze që përbëhej nga “historiku i shkurtër i Republikës së Kosovës” i autorit dr. Fehmi Rexhepi, “Gjëegjëzat dhe vlerat e tyre pedagogjike”, të dr. H.Koliqi, pastaj “Kashelashat shqipe” në përkthim të Xhemail Ahmetit, Qazim Aliu e Petrika Grazhdani, si dhe tekste e revista të tjera që botoheshin ne shqip në Kosovë.
5 shtator, 1991 në Zagreb të Kroacisë në Kongresin Botërorë të enigmatëve do të jenë pjesëmarrës poashtu edhe enigmatët nga Kosova, pikërisht anëtarët e ShE “Ndre Mjeda” e Gjilanit.

Organizatorët e këtij takimi si qëllim kryesor kishin takimin e enigmatëve eminent nga mbarë bota, shkëmbimi i mendimeve të tyre, të njihen në mes veti dhe të formojnë Organizatën Botërore të Enigmatëve me seli në Zagreb të Kroacisë. Pos enigmatëve, në këtë Kongres me karakter botërorë, morën pjesë gazetarë të mirënjohur ndërkombëtarë për sport e kulturë në gazetat më autoritare të botës.

Më 7 tetor 1995, në Gjilan, është mbajtur “Maratona e Kruciverbistëve“, me rastin e 15- vjetorit të themelimit të SHE “Ndre Mjeda” , në organizim të Federatës së Enigmatëve të Kosovës (FEK), mikëpritëse e Maratonës (sajuesve të fjalëkryqit ), ishte qyteti i Gjilanit, selia e Shoqatës më të vjetër të enigmatëve në hapësirën mbarëshqiptare, e cila mban emrin e poetit dhe linguistit të njohur të Rilindjes kombëtare, Ndre Mjeda.

Maratona e kruciverbistëve, konsistonte përpilimin e fjalëkryqit sa më të gjatë brenda 6 orëve (10:00-16:00). Ekipi për pjesëmarrje në Maratonë përbëhej prej 3 anëtarësh. Morën pjesë të gjitha shoqatat kosovare që vepronin në Kosovë: SHE “Hasan Mustafa” nga Prishtina, SHE “Drita” nga Gjakova, SHE “Mozaiku” nga Gllogovci dhe nikoqiri SHE “Ndre Mjeda” nga Gjilani.

Rekordin e Maratonës, e vunë enigmatët e SHE “Ndre Mjeda” të Gjilanit në përbërje:Rexhep Hasani, Ismail Gagica dhe Enver Hajrullahu (që të tre mjeshtër të enigmatikës), përpiluan fjalëkryqin në gjatësi prej 3.5 metrash. Me këtë, enigmatika shqiptare dëshmoi se po arrin rezultate të përmasave botërore. Komisioni vlerësues ishte në këtë përbërje:Xhevat Ruhani, Kryemjeshtër i enigmatikës, Xhelal Abrashi, Kryemjeshtër i enigmatikës, Shemsedin Kryeziu, mjeshtër i enigmatikës dhe dr. Zijadin Hasani, Kryemjeshtër i enigmatikës.

Duhet cekur se gjatë Maratonës, ndërkohë është mbajtur edhe Tryeza e rrumbullakët me temën “Kontributi i SHE “Ndre Mjeda” në afirmimin e enigmatikës shqiptare, me kumtesa, trajtesa e qasje, u inkuadruan Mr.Mehmet Halimi, dr. Zijadin Hasani, Xhevat Ruhani, Xhelal Abrashi, Hasan Bunjaku, Nexhmedin Ymeri, Qamil Ramabaja, Nuhi Ismajli, Adem Gashi, e ndonjë tjetër, ku u vlerësua lartë kontributi i kësaj shoqate në zhvillimin dhe afirmimin mbarëkombëtarë të kësaj fushe specifike të krijimtarisë mendore, e u përcaktuan kahet e veprimit të mëtejmë.

Nderkaq, enigmati gjilanas, Arbëresh Dalipi, është përpilues i fjalëkryqit klasik rekord prej shtatë metrash që është prezantuar në Gjilan, nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, e cila e ka vlerësuar këtë ngjarje si të rëndësishme për enigmatikën shqiptare, por edhe më gjerë.

Për vlerat dhe rekordin e Arbëreshit, në këtë eveniment folën: Dr. Zijadin Hasani, Kryetar i SHE “Ndre Mjeda”, Xhelal Selmani, Rexhep Hasani, Enver Hajrullahu, Nexhat Hajrullahu dhe Ismail Gagica anëtarë.

Përpilimi i një fjalëkryqi të kësaj madhësie, i cili Dalipit i ka marrë afër një muaj kohë, vlerësohet si një ngjarje e veçantë dhe e rëndësishme për enigmatikën shqiptare dhe më gjerë. Autori i këtij punimi “gjigant’ në enigmatikë, Arbëresh Dalipi, ka sqaruar se fjalëkryqi është i gjatë 7 metra, ndërsa në të janë përdorur 1.119 fjalë. Gjatësia mesatare e fjalës është 6.02 katrorë, apo shkronja, derisa tërësia e katrorëve është 3.870. Fjalëkryqi ka 492 katrorë të zinj, ose 12,71 për qind, por që janë 153 katrorë më pak se limiti i deritashëm për përpilimin e fjalëkryqeve.

Dr. Zijadin Hasani, kryetar i SHE “Ndre Mjeda”, në Gjilan, e ka cilësuar një arritje të rëndësishme për enigmatikën shqiptare përpilimin e fjalëkryqit më të madh që është bërë ndonjëherë.

“Për momentin, ky është fjalëkryqi rekord në enigmatikën shqiptare”, ka thënë Hasani, duke shpresuar shumë se një rekord i tillë nuk është arritur ende as përtej hapësirave shqiptare. Ndërkaq, Rexhep Hasani, mjeshtër i enigmatikës, ka prezantuar disa rekorde të enigmatikës shqiptare, me theks të veçantë asaj në Gjilan, duke veçuar fjalëkryqin më të gjatë, prej 3.5 metra, të përpiluar, po ashtu në Gjilan, para lufte, nga Enver Hajrullahu, Ismail Gagica dhe vetë ai. Në Gjilan janë arritur rekorde edhe në lloje të tjera të enigmatikës, si “Piramida”, “Ora e Rërës’, “Boshte”, “Katror magjik 8×8”, anagrame e të tjera, por ky është rasti i parë që sajohet një fjalëkryq klasik i përmasave të këtilla. Autorit të këtij fjalëkryqi rekord iu është dashur një muaj që të sajojë fjalëkryqin, kurse I njejti është botuar në gazetën e përditshme kosovare “Koha Ditore” edhe atë për shtatë ditë rreshtë nga një pjesë e tërësisë se fjalekryqit.

Në Stamboll të Turqisë u mbajt kampionati i Shtatë me radh i botërorit të enigmatëve, ku morën pjesë 16 shtete, në mesin e të cilave në nivel të barabartë , edhe Kosova, që kësaj herë u përfaqësua nga ekipi i SHE “Ndre Mjeda’ i Gjilanit, të prirë nga dr. Zijadin Hasani, Xhelal Selmani, Shemsedin Kryeziu, Abdylmexhit Selmani dhe Ismail Gagica.

Vendin e parë në këto gara e zuri SHBA-ja, të dytin Japonia ndërsa të t retin Hungaria. Për ekipin e Kosovës të përfaqësuara nga gjilanasit konsiderohej sukses i madh pjesëmarrja për herë të parë, në një nivel shtetërorë.

Në mesin e 16 flamujve kombëtare të shteteve pjesëmarrëse, në sallën e garave, atë të seancave të Kongresit, të konferencës së shtypit për medie dhe në hyrjen e hotelit “CIcay”, valonte edhe flamuri shqiptar.

Ekipi ynë, pjesëmarrjen e të cilit u mundësua nga donatorët: “Omega”, “Bezi” e “Selo Tours”, u nderuan me certifikatë nga Ministria Turke e Kulturës.

KOMENTE