(2L ONLINE) – Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të kryesuar nga drejtori Halit Rexhepi, sot është bërë prezantimi i raportit vjetorë të Policisë së Kosovës në Gjilan, poashtu është prezantuar edhe plani vjetor i KKSB-së dhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit është dhënë një informatë lidhur me numrin e nxënësve të cilët kanë lënë shkollën për të migruar jashtë vendit.
Me këtë rast Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se në përgjithësi viti 2014 është viti më pozitiv për Policinë e Kosovës në Komunën e Gjilanit, në bazë të statistikave që nga paslufta.
“Ky është vit pozitiv për policinë e Kosovës në Gjilan. Është viti kur nuk ka ndodhur asnjë vrasje e vetme, poashtu asnjë vrasje në tentativë. Kur kemi bërë bilancin vjetor na del se ka një ulje të veprave penale për 5.6%, ulje të incidenteve të përgjithshme prej 13.6%, efikasitet në zbulimin e veprave penale prej 5.7%, ulje të rasteve të raportuara të grabitjeve 70%, ulje të rasteve si vjedhje të rënda për 16% dhe në kuadër të këtyre të dhënave del se është vit pozitiv për Policinë e Kosovës në Gjilan”, tha majori Azemi.
Edhe në aspektin e bashkëpunimit ndërinstitucional Azemi ka thënë se është punuar me përkushtim duke përfshirë të gjitha institucionet komunale, Gjykatën, Prokurorinë dhe një rol shumë të rëndësishëm kanë dhënë qytetarët të cilët kanë qenë më aktiv se asnjëherë më parë në raportimin e rasteve të ndryshme në polici.
Ai gjithashtu ka informuar se kanë asistuar edhe KK-në, KEDS-in, ATK-në, Habitatin dhe institucione të tjera. Në të njëjtën kohë ka bërë të ditur se kjo është arritur falë planifikimit të mirë që është bërë gjatë hartimit të planit vjetor të punës përmes mekanizmave të ndryshëm brenda policisë duke precizuar faktin se për vitin 2015 ky planifikim do të jetë edhe më efikas dhe në shërbim të sigurisë në përgjithësi, përmes patrullimeve 24 orësh dhe intervenimeve të kohëpaskohshme në vendet e dyshuara.
Ndërsa në planifikimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, drejtori Halit Rexhepi ndër të tjerash ka thënë se është paraparë angazhim konkret për ndaljen e largimit të qytetarëve sidomos të të rinjve duke lënë prapa pasurinë në përgjithësi, aktivitet intensiv në parandalimin e ndikimit të ekstremizmit fetar me theks të veçantë te të rinjtë. Poashtu krijimin e kushteve të barabarta të gjitha etnive për të shprehur afinitetet e tyre kulturore, sportive, arsimore dhe veçori tjera, pastaj, parandalimi i incidenteve ndër etnike në komunë, organizimi i debateve me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare për rritjen e tolerancës dhe aktivitete të tjera me qëllim të sigurisë së përgjithshme të qytetarëve.
Gjithashtu në informatën e Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, është thënë se shifrat e nxënësve të larguar nga shkolla në Komunën e Gjilanit janë shqetësuese, sepse numri i tyre deri në fund të javës që lamë pas ishte mbi 300 nxënës që kanë lënë mësimin duke ia mësy rrugëve të mërgimit.
Drejtori Halit Rexhepi me miratim të të gjithë anëtarëve kanë apeluar tek qytetarët e Gjilanit që të ndalin migrimin ilegal, t’u mbjellin fëmijëve të tyre dashurinë për atdheun, të vlerësojnë me arsye dhe të marrin vendime në shërbim të zhvillimit të vendit, duke potencuar se largimi ilegal, kufizon shumë të drejta gjatë të ardhmes, sepse në momentin që bëhet liberalizimi i vizave për kosovarët, të njëjtit nuk do ta gëzojnë një gjë të tillë për shkak të veprimeve të sotme. /2L ONLINE/