Gjilani që e meriton të nesërmen!
Shkruan: Arton H. Hoxha
Ka ardhur koha që për Gjilanin të mos flasim vetëm atëherë kur kemi diçka për të kërkuar, por edhe atëherë kur kemi diçka për të ndërtuar, për të ndryshuar dhe për t’ua lënë më mirë brezave që vijnë pas nesh.
Sepse Gjilani nuk është vetëm vendi ku jetojmë dhe ku zhvillojmë jetën tonë të përditshme. Është vendi ku kemi kujtimet tona, ku janë rritur prindërit tanë, ku kanë kaluar fëmijërinë shumë prej nesh dhe ku sot po rriten fëmijët tanë. Prandaj, unë besoj se Gjilani mund të jetë shumë më tepër.
Jo sepse Gjilani nuk ka bërë asgjë deri më sot, por sepse një qytet me këta qytetarë, me këtë rini dhe me këtë potencial nuk duhet të mendojë kurrë se ka bërë mjaftueshëm dhe se nuk ka më çfarë të kërkojë nga vetja.
Gjilani ka një pasuri që nuk mund të blihet me para dhe që, në fund të fundit, është edhe forca e tij më e madhe, qytetarët dhe rinia e tij. Janë qytetarët që punojnë, të rinjtë që studiojnë, familjet që ruajnë kujtimet e tyre dhe të vendit ku janë rritur, por edhe ata që kanë shkuar larg për të kërkuar një jetë më të mirë dhe që, pavarësisht distancës, ende e thonë me krenari, Jam nga Gjilani.
Një qytet bëhet i madh kur qytetarët e tij fillojnë të besojnë se edhe e ardhmja e tyre mund të ndërtohet aty, se mund të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet, pa e ndier se për çdo mundësi duhet të largohen.
Sepse duhet të dimë ku duam të shkojmë para se të nisemi, çfarë duhet të ndryshojmë sepse koha e kërkon dhe çfarë duhet të ndërtojmë sepse qyteti ka nevojë.
Gjilani ka ende një kapitull shumë të madh për të shkruar. Një kapitull që nuk do të shkruhet me fjalë të mëdha, por me përgjegjësi dhe me angazhim të përbashkët. Kjo përgjegjësi nuk i takon vetëm një institucioni, një grupi apo atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Ajo u takon të gjithë atyre që e kanë ndërtuar jetën e tyre në Gjilan, por edhe atyre që janë larguar për një arsye apo tjetër dhe që, pavarësisht se ku jetojnë sot, ende e mbajnë në zemër vendin nga i cili kanë ardhur.
Gjilani është një ndjenjë.
Por një ndjenjë e tillë nuk duhet të mbetet vetëm në kujtime, në mall apo në fjalët që themi kur jemi larg qytetit. Ajo duhet të kthehet në dëshirë dhe në vullnet për ta parë qytetin tonë duke e shfrytëzuar potencialin që ka. Unë nuk dua që pas dhjetë vitesh të kthehemi dhe të themi se Gjilani kishte potencial. Dua që atëherë të mund të themi se e kishim potencialin dhe ditëm ta kthenim në realitet.
Kjo është sfida, por është edhe mundësia që kemi përpara.
Gjilani nuk ka nevojë për një ëndërr të vogël.
Ndoshta kjo është koha që të fillojmë të besojmë më shumë te vetja dhe te mundësitë që kemi, duke punuar që Gjilani të bëhet më shumë sesa është sot.
Sepse një ditë, fëmijët tanë do të na bëjnë një pyetje shumë më të thjeshtë dhe shumë më të rëndësishme:
“Çfarë qyteti na latë?”
Për mua, kjo është pyetja më e madhe që duhet ta kemi përpara sa herë flasim për të ardhmen e Gjilanit. Dhe përgjigjja që do të doja të mund ta jepnim atëherë është një Gjilan që nuk ka frikë nga e ardhmja, por që njëkohësisht e njeh dhe e respekton vlerën e së kaluarës.
Por një Gjilan që vendos vetë të bëhet.
Andaj, dua ta përmbyll këtë shkrim me një citat nga Antoine de Saint-Exupéry, i cili është frymëzim për mua në çdo punë që nis:
“Nëse dëshiron të ndërtosh një anije, mos i thirr njerëzit për të mbledhur dru, për të ndarë punët dhe për të dhënë urdhra. Mësoju atyre të dëshirojnë detin e pafund.”
Andaj, nëse duam ta kemi një Gjilan që e meriton të nesërmen, duhet ta duam dhe ta dëshirojmë të ardhmen e qytetit tonë pafund, por mbi të gjitha duhet të besojmë se, së bashku, mund ta ndërtojmë atë. /2LONLINE/
