(2L ONLINE)- Gjilani është sërish në kreun e tabelës. Fitorja ndaj fqinjëve të Pozhoranit si dhe rrëshqitja e Llapit në shtëpi i ka dhënë kryesimin sërish skuadrës së drejtuar nga Musa Selimi. Me dy gola, nga një në secilën pjesë, Gjilani e mposhti Vllazninë për të marrë fitoren e nëntë këtë edicion.
Gjilani ndodhet sërish në majën e renditjes kur po i afrohemi fundit të sezonit vjeshtor. Futbollistët e Gjilanit këtë vikend kishin përballë fqinjët e Pozhoranit të cilit i përcollën me dy gola nga një në secilën pjesë. Për këtë u përkujdesën, Filonit Shaqiri dhe Vllaznim Jashari që realizuan për ti dhënë skuadrës së kuqe një triumf me shije të elitës.
Kështu u shpreh edhe Musa Selimit, trajner i skuadrës që në pronocimin e ‘’2L ONLINE’’ pas ndeshjes tha: ‘’Futbollistët e mi e mbizotëruan tërësisht ndeshjen e cila ishte mjaft e vështirë përballë një skuadre siç është Vllaznia ani pse në pjesën e poshtme të tabelës. Kemi finalizuar vetëm dy raste mirëpo mbetem i kënaqur pasi rëndësia qëndronte te pikët të cilat na bëjnë lider sidomos pas dështimit të skuadrave rivale’’.
Shaqiri zhbllokon shifrat
Ndeshja ka nisur mirë për gjilanasit që mundësinë e parë për të realizuar e kanë qysh në minutën e 8-të. Mbrojtësi, Ridvan Emini iu është përgjigjur më së miri harkimit të Salih Kosumit nga këndi duke gjuajtur fuqishëm me kokë por vetëm jashtë katërkëndëshit. Inferiorë nuk tregohen as miqtë sa i përket krijimit të rasteve dhe kanë mundësitë e tyre për të shënuar. Është qendërmbrojtësi, Ardian Mustafa ai që rrezikon nga dënimi në minutën e 24-të, por topi shkon skaj traversës së Faton Malokut që i shpëton punës më të madhe. Ndërkohë në anën tjetër ‘’homologu’’ i tij Betim Halimi detyrohet të ndërhyjë në goditjen e Salih Kosumit për ta dërguar topin në fundore. Pikërisht, nga kjo rivënie nga këndi, të zotët e shtëpisë ia dalin të marrin epërsinë e shumë pritur. Një harkim briliant i Visar Sermaxhajt përfundon në kokën e Filonit Shaqirit që me një gjuajte të saktë ‘’shkund’’ rrjetën e Halimit për epërsinë e vendasve, 1-0.
Nuk ndalen me kaq, vendasit kërkojnë që ta presin pushimin më të qetë, por gjuajtja e Besart Morinës nuk ishte aq precize sa edhe depërtimi dhe kështu nuk lejon të preket rezultati i vendosur nga Shaqiri.
Jashari ‘vulos’ fitoren
Mikpritësit kërkojnë që ta gjejnë sa më shpejtë golin e qetësisë dhe dalin në rast me të filluar pjesa e dytë. Harkimin e Zgjim Mustafës brenda zonës nuk arrinë ta fusë në rrjetë Yll Maliqi nga një pozitë ideale për të shënuar. Njejtë veproi edhe Lirian Ferati derisa shpërdoroi një pasim fantastik të Filonit Shaqirit duke gjuajtur skaj pingules së Halimit. Mirëpo, gardiani i Vllaznisë nuk pati se si ti shpëtonte më sulmeve atomike të vendasve të cilët realizojnë edhe golin e dytë. Një top i gjatë nga mesfushë arrin deri te këmbët e Vllaznim Jasharit i cili gjuan në këndin e djathtë të Halimit për t’ia përplasur sërish topin për rrjete dhe për ti dhënë ‘vulën’, fitores së nëntë të gjilanasve në këtë edicion.
Trajneri i Gjilanit, Musa Selimi ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të tij e sidomos me epilogun final të ndeshjeve tjera.
Ndërkohë homologu i tij Elmaz Halimi ishte i përgatitur për këtë disfatë përkundër ndeshjes së mirë të luajtur nga lojtarët e tij. ‘’Ishte një ndeshje mjaft e mirë, kemi krijuar disa raste të cilat nuk kemi arritur ti shfrytëzojmë. Ishim të pafuqishëm përballë një skuadre si Gjilani, ndërkohe që ne e kishim mendjen te Dukagjini rivali ynë i ardhshëm të cilin duhet ta mposhtim javën që vjen’’.
Gjilani – Vllaznia (P) 2:0
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 200
Gjyqtarë: I.Ceraviku, B.Haradinaj, H.Ademi
KV: Hyseni – S.Aliu, Rashiti
Golashënues: Shaqiri 28’, Jashari 69’
Lojtar i ndeshjes: Shaqiri
Gjilani: Maloku, Hyseni, Emini, Maliqi, Kosumi, Mustafa, Shaqiri, Morina (Ramadani), Sermaxhaj (Marovci), Ferati (Jashari), Blakçorri. Trajner: Musa Selimi
Vllaznia (P): B.Halimi, Uka, A.Aliu, Labaku, Mustafa, Jakupi (Sh.Aliu), S.Aliu, Rashiti (G.Halimi), Beqiri, Kuka (Pira), Frangu. Trajner: Elmaz Halimi
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/