/2L ONLINE/ – Institucionet parashkollore të komunës së Gjilanit kanë përfituar sot 16 pako të lodrave për fëmijë, donacion ky nga shkolla “Beato Armaldo Da Limena” në Padova të Italisë, me inicimin e Alexander Mora, e të cilit i janë bashkangjitur edhe 240 nxënës të kësaj shkolle.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka pritur sot në takim falënderimi iniciatorin e këtij donacioni, nxënësin Alenxander Mora, i cili shoqërohej nga përfaqësues i njësisë MSU Karabinieri në Kosovë, Antonio Zapatore.
“Alexander është hero i Gjilanit sot sepse i ka sjellë 16 pako me lodra në mbështetje për institucionet parashkollore, ku do të përfitojnë të gjitha shkollat komunës së Gjilanit, në qytet e fshatra. E falënderoj këtë djalosh për aktin solidar dhe nënën e tij Angelikan për mbështetjen, sikurse edhe marshallin Antonio Zapatore, i cili në emër të komandantit të trupave të karabienierëve në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, e ka organizuar transportin dhe e ka mbështetur aksionin vullnetar të Alexandrit”, ka thënë Haziri.
Nga ana e tij, marshalli Antonio Zapatore, përfaqësues i njësisë MSU Karabinieri në Kosovë, ka shprehur kënaqësinë që kanë arritur ta realizojnë këtë donacion të rëndësishëm.
“Sot, duke iu falënderuar Alexandrit, sidomos nënës së tij, Angelika, e kemi një donacion për fëmijtë e Gjilanit. Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur ta realizojmë këtë me ndihmën e Komunës së Gjilanit. I falënderoj të gjitha ata që kanë marrë pjesë në këtë donacion, e sidomos fëmijtë e Padovas, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për mbledhjen e këtij donacioni”, ka deklaruar Zapatore.
Fjalë rasti pati edhe iniciatori për mbledhjen e këtyre dhuratave, Alexander Mora, i cili theksoi se së bashku me shokët e shkollës kanë bërë një angazhim të madh për t’ia arritur këtij qëllimi.
“Këtu ju prezantoj vetëm një pjesë të vogël të dhuratës që e kam dhënë unë, por jam këtu në emër të të gjithë shokëve të shkollës, të cilët kanë dhënë një anhgazim shumë të madh për t’i mbledhur gjitha këto ndihma për t’ua dërguar fëmijëve në Kosovë”, tha ai.
Në fund të takimit, kryetari Lutfi Haziri i ka dorëzuar një mirënjohje nxënësit të shkollës “Beato Armaldo Da Limena” për ndihmën e dhënë për institucionet parashkollore të komunës së Gjilanit. /2L ONLINE/