Gjilani po i bashkëngjitet festës së madhe të shqiptarëve në Ballkan në shënimin e vitit të Skënderbeut

Gjilani po i bashkëngjitet festës së madhe të shqiptarëve në Ballkan në shënimin e vitit të Skënderbeut

Në Akademinë e Flakës se Janarit 2018, që i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombëtar Skënderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo Akademi solemne shënon aktivitetin kryesor të manifestimit të Flakës, për të nderuar e respektuar të gjithë dëshmorët, heronjtë, martirët, veprimtarët, e të gjithë ata që Kosovës, shqiptarëve, ia dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, me punë, sakrificë, me kryengritjet e tyre, me rezistencë aktive të armatosur, me rezistencë politike dhe në çdo formë tjetër, që Kosova sot të jetë e lirë dhe e pavarur dhe të synon të jetë më e bashkuar me shqiptarët në regjion e Ballkan.

“Sot Gjilani i bashkëngjitet edhe zyrtarisht festës së madhe të shqiptarëve në Ballkan në shënimin e vitit të Skënderbeut. Sot në Lezhë, Prishtinë e në Gjilan shënohen aktivitete të kalendarit kombëtar për vitin e Gjergjit, heroit  më të madh të shqiptarëve”, ka thënë  kryetari Haziri.

Ai shtoi se sot Gjilani i bashkëngjitet këtij kalendari në ditën e rënies së Kadri Zekës, në ditën e rënies së  kryengritësit më të madh të shqiptarëve në ish- Jugosllavi, të viteve 80-ta, njeriu i cili si bashkëqytetar i yni, si vendas, si shok, si mik dhe mbi të gjitha si patriot arriti të mobilojë, organizojë, strukturojë dhe me u kryengritë, edhe përmes protestave edhe përmes mobilizim të bashkatdhetarëve në Europë për me ngritë çështjen kombëtare në nivel  të protestës, në nivel të shprehjes së pakënaqësisë dhe përgatitjes së popullatës për liri.

Kryetari Haziri ka thënë se Kadri Zeka shënoi kthesën më të madhe të shqiptarëve në ish- jugosllavi, në vitet e 80-ta dhe bashkë edhe me bashkëkohanikë, si vëllezërit Gërvalla ka vepruar në emigracion, nga pamundësia për të vepruar në territoret e shqiptarëve.

“Duke qenë ilegal në atdheun e tij dhe duke u përjashtuar nga atdheu i rrejshëm, Kadri Zeka u detyruar të veproi atje ku ishin shqiptarët (Zvicër, Gjermani…) dhe nga atje bëni që Kosova të shpreh krejt atë angazhim politik për Republikë. Kadri Zeka është vrarë tinëzisht bashkë me vëllezërit Gërvalla dhe edhe sot vuajmë për mos zbardhjen e rastit të tij. Ky krim i madh duhet të ndriçohet në kuadër të zbardhjes  së historisë  dhe  në kuadër të krejt këtij procesi që po kalon vendi ynë. Respekti deri në gjunjëzim për veprën e Kadri Zekës, për 17 janarin që e mori atë, mu në ditën e Skënderbeut, një njeri që kohën e vet e ka shënua me sakrificë  dhe gjakun e tij”, tha Haziri.

Kryetari Haziri, që është edhe njëri nga themeluesit e manifestimit mbarëkombëtar Flaka e Janarit, tha tutje se  ky manifestim shënon edhe 50-vjetorin e protestave për flamur, për flamurin e Skënderbeut, që shqiptarët në ish Jugosllavi nuk e   kishin të lejuar.

“Përmes protestës ata arritën tw realizojnw  këtë kërkesë elementare. Edhe sot mbahet mend kur është ngrit flamuri i parë në Gjilan, dihen njerëzit që e kanë organizuar protestën në Gjilan dhe Anamoravë. Gjithashtu Gjilani dhe Anamorava ka organizuar edhe protesta në Prishtinë  dhe në qendra tjera. Njerëz të kësaj ane mbesin lider dhe udhëheqës kryesor të kryengritjeve, protestave dhe kërkesave për liri dhe  në të njëjtën kohë, martirët dhe dëshmorët  më të mëdhenj në themelet e lirisë së Republikës sonë”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka ftuar  të gjithë  qytetarët t’i përcjellin aktivitetet që organizohen përgjatë janarit, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit“.

“Për çdo janar, për  27 vite rresht, Gjilani është kryeqendër e nderimit të heronjve dhe dëshmorëve, ne jemi kryeqendër kulturore dhe kryeqendër historike, në mënyrë që vlerat e dëshmorëve të mos harrohen  dhe të mos i prek pluhuri i harresës në asnjë mënyrë. Sot e gjithmonë, sot e përjetë, respekt për dëshmorët deri në gjunjëzim”, ka përfunduar Haziri.

Ndërsa, Prof, dr. Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka folur për figurën e Skënderbeut  me temën “Gjegj Kastrioti hero kombëtar i shqiptarëve”, duke thënë ndër tjerash se edhe pse kanë kaluar 550 vite nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut,  jeta, vepra dhe mesazhet e tij janë aktuale edhe sot  si frymëzim i përhershëm  për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

E, Naim Musliu,  kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, ka folur për 50 vjetorin e demonstratave për Flamur kombëtar, duke thënë ndër tjerash se Demonstratat e vitit 1968 nxorën në pah problemin e madh shqiptar në Jugosllavi, të cilin deri atëherë pushteti jugosllav ishte përpjekur ta mbante të mbyllur në mënyra të ndryshme.

“Në demonstrata përveç të  që pati shumë të burgosur e të dënuar me shumë  vite burg, të ndjekur nga policia, të diferencuar ideo politikisht, të degraduar e të përjashtuar nga puna etj., pati edhe të vrarë. Megjithatë pati zhvillime të rëndësishme si: u shpejtua themelimi i Universitetit të Kosovës në Prishtinë, u hapën Institutet shkencore, u hap Akademia, u miratuan amendamentet kushtetuese me të cilat u krijua një hapësirë më e gjerë politike dhe një mundësi institucionale për veprim, u rrit veprimtaria botuese, kulturore, arsimore, shkencore etj., gjithashtu u krijuan parakushte për një zhvillim më të shpejtë ekonomik”, ka thënë Musliu.

Përndryshe, pas Akademisë së Flakës, aktiviteti i radhës  do të jetë “Peneli i Flakës” – Teatri i Qytetit, sonte nga ora 19:00.

KOMENTE