(2L ONLINE) – Zyrtarë komunal thanë se është përmbyllur me sukses pilot-projekti i Komunës së Gjilanit për themelimin e dhjetë këshillave të fshatrave, i cili është realizuar në bashkëpunim me organizatën “Agro-Eko” dhe me financim të Ambasadës Amerikane.
Pas themelimit të Këshillave në nëntë fshatrat e Komunës së Gjilanit, mbrëmë është konstituuar edhe këshilli shtatë anëtarësh i fshatit në Përlepnicë, ku me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe me anë të votimit demokratik kryetar është zgjedhur Nazim Rrustemi.
Me këtë rast, kryetari i Komisionit komunal për themelimin e këshillave të fshatrave, Avdyl Aliu, është shprehur i lumtur që është përmbyllur ky proces me sukses të plotë, ndërsa ka thënë se konstituimi i këtyre dhjetë Këshillave të fshatrave do të jetë tregues i mirë që sa më parë të përfundohen edhe Këshillat në fshatrat dhe lagjet tjera të qytetit.
Formimi i Këshillave nëpër fshatrat dhe lokalitetet e Komunës së Gjilanit, ka qenë premtim kryetarit Lutfi Haziri në fushatën elektorale.
Këshilli i fshatit, vendbanimit apo lagjes urbane ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara si më poshtë:
– Kujdeset për planifikim urban dhe rural;
– Kujdeset për furnizim me ujë, rregullimin e kanalizimit, drenazhimet etj.;
– Kujdeset për ofrimin e shërbimeve publike efikase;
– Kujdeset që qytetarëve t’u ofrohet mbrojtja shëndetësore primare;
– Kujdeset për mbrojtjen locale të ambientit
– Kujdeset për zhvillimin e turizmit;
– Kujdeset për sigurimin e hapësirave të hapura dhe varrezave
– Kujdeset për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive;
– Bashkëpunon me organet Komunës dhe organizatat tjera për çështjet me interes për lokalitetin;
– Evidenton dhe paraqet prioritetet e lokalitetit para organeve të Komunës;
– Merr pjesë në emër të qytetarëve të lokalitetit në financimin e çështjeve që janë pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës;
– Kujdeset për organizimin e aksioneve vullnetare në interes për lokalitetin dhe
– Kryen edhe detyra të tjera të cilat mund të jenë të bartura nga Kuvendi i Komunës ose Kryetari i Komunës në pajtim me ligjin dhe Statutin e Komunës. /2L ONLINE/