Gjilani pa raste me fatalitetit, apelohet për qetësi dhe kujdes në komunikacion
/2L ONLINE/ – Këshilli i Lartë për Menaxhimin e Situatave, në takimin e mbajtur sot të udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri, ku të angazhuar janë edhe nënkryetari Komunës, drejtoria e Shërbimeve Publike,, Arsimi, Shëndetësia, Mbrojtje dhe Shpëtimi, pastaj përbërja e Policisë së Kosovës, e KFOR-it etj, ka vlerësuar se Komuna e Gjilanit edhe përkundër të dyfishimit të qytetarëve, veturave dhe aktiviteteve të ndryshme familjare dhe të tjera gjatë ditëve të verës, në kohën e pushimeve të bashkatdhetarëve, mbetet Komuna ku nuk është shënuar asnjë aksidentet me fatalitet, por, është apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion, eliminim të zhurmave dhe festim pa armë.
Në këtë takim është shqyrtuar efekti i vendimit për ndaljen e zhurmës gjatë orëve të vona të natës dhe monitorimin e tejkalimit të kufijve të saj dhe gjatë periudhës tjetër kohore, pikë tjetër ishte muaji i bashkatdhetarëve që do të vazhdon me shënimin e ditëve kulturore për shtetet mike si Italia, Turqia, Franca etj dhe siguria publike në përgjithësi.
Këshilli i Lartë për Menaxhimin e Situatave, ka apeluar tek të gjithë qytetarët dhe lokalet afariste që të respektojnë vendimin për ndaljen e zhurmës, kryesisht në kafiteri të ndryshme që kanë detyruar shumë qytetarë të bëjnë ankesa në drejtim të institucioneve lokale të sigurisë për intervenim, sepse ato janë shpesh jashtë kontrollit. Është bërë e ditur se Inspeksioni Komunal po vepron së bashku me Policinë e Kosovës për kontrollim të gjendjes.
Apel që të festohet pa armë nëpër ahengje të ndryshme familjare, sepse momentet e gëzimit nuk duhet të kthehen në hidhërim dhe përfundime tragjike për shkak të përdorimit të armëve.
Gjithashtu apelohet të kihet kujdes i shtuar gjatë ngasjes së veturave në komunikacion, sepse është një numër shumë i madh i aksidenteve të shkaktuara në komunikacion, për shkak të dyfishimit të veturave në rrugët e Gjilanit, por për fat të mirë nuk ka humbje jete, por, vetëm lëndime trupore dhe dëme materiale.
Kryetari Haziti ka thënë se për fat të bardh për këtë periudhë kohore nuk kemi pasur aksidente me fatalitet apo vrasje, duke e bërë kështu Gjilanin një Komunë të sigurisë së lartë qytetare, që për këtë kanë dhënë kontribut qytetarët e Gjilanit me sjelljen e tyre, organet e sigurisë në bazë të kompetencave dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në vetëdijesim, por edhe parandalim që të kemi këtë situatë të mirë të sigurisë publike.
“Në përgjithësi në bazë të të gjitha vlerësimeve dhe monitorimit nga ana e organeve të sigurisë, del se Gjilani përkundër dyfishimit të qytetarëve, veturave, aktiviteteve të ndryshme, është gjendja e sigurisë në nivel të lartë. Me këtë rast falënderoj të gjithë qytetarët për sjellje korrekte, sikur që i lus të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent, por edhe të lajmërojnë organet e sigurisë për çdo rast që vlerësohet se prish qetësinë publike”, u tha nga kryetari Haziri. /2L ONLINE/
