Flamurtari ka pësuar humbje në udhëtim te Gjilani (2-0), në kuadër të javës së 19-të të Superligës së Kosovës.
Kryetrajneri i kësaj skuadre, Sunaj Keçi, deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij bëri gabime amatoreske, me ç’rast edhe i’a fali fitoren skuadrës së Gjilanit.
“Gjilani nuk na mposhti sot, ne mposhtëm vetvetën. Në momentin më të mirë të rikthimit në pjesën e dytë ne pranuam një gol naiv dhe aty ishte fundi i ndeshjes”, deklaroi fillimisht Sunaj Keçi për “Super Sport Kosova”.
“Kualiteti brenda skuadrave nuk diskutohet, pasi që Gjilani lufton për kreun e tabelës, ndërkohë ne për mbijetesë. Por, sërish po e them. Ne e mposhtëm vetën, pasi që golin e parë të cilin e pranuam mund ta shohim vetëm te grupmoshat e reja, pionioer ose kadet. Le të shërbejë kjo ndeshje si mësim për ne për ndeshjet tjera”, përfundoi Keçi.
Flamurtari mbetet në zonën e rrezikshme të renditjes tabelare.