DYLON

Gjilani nis zyrtarisht mbjelljen e mjedrës së subvencionuar për 39 bujq – shitja e garantuar

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit ka nisur sot zyrtarisht mbjelljen e fidaneve të mjedrës së subvencionuar për 39 bujq, që kap vlerën e 60 mijë eurove, e që implementohet në bashkëpunim me kompaninë “Fresh Fruti”. Në këtë ngjarje, e cila ka nisur në plantacionin e farmerit Fazli Fazliut në Përlepnicë, ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe struktura tjera komunale.

“Me mbështetjen e fuqishme të kryetarit Haziri, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë po fillon sot projektin e mbjelljes së mjedrës për 39 përfitues. Dua të them se Komuna do të jetë gjithmonë mbështetëse e bujqve, të cilët e duan punën dhe duan të tregojnë rezultate”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Kadriu.

EkoHigjiena

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, ka thënë se Komuna ka subvencionuar për herë të parë mjedrën meqë është mjaft fitimprurëse, duke e konsideruar si ‘ari i kuq’.

“Sot është lajmi më i mirë dhe projekti më atraktiv, meqë mjedra konsiderohet ‘arit i kuq’. Është prodhimtari vërtetë e perspektivës së lartë dhe ne kemi qenë shumë insistues që të fillojmë me këtë projekt, i cili implementohet në dy faza, në pranverë dhe në vjeshtë. Sot kanë përfituar 39 farmerë, ose 10 hektarë të mbjella me fidane. Interesimi i qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe ne e kemi bërë përzgjedhjen me kritere mjaft të ashpra. Intenca është që këta farmerë të jenë model për farmerët tjerë”, është shprehur Ramadani.

E rëndësishme, sipas Ramadanit, është se shitja e prodhimit është e garantuar.

“Partneriteti i Komunës së kompaninë “Fresh Fruti” garanton shitjen e prodhimit, e që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe besoj që edhe pse është kulturë e re, gjithçka do të shkoj mirë, ngase partneri ynë USAID e ka të angazhuar një ekspert për këtë lëmi, ndërsa Drejtoria e Bujqësisë ka dy. Duhet thënë se vëmendje të veçantë i është kushtuar kryesisht fshatrave kodrinoro-malore, sikurse edhe disa fshatrave tjerë, të cilat janë përdorë si model. Kjo kulturë, kudo që është kultivuar, ka dhënë rezultate të mëdha”, ka shtuar drejtori i Bujqësisë së Gjilanit.

Sherafedin Gashi, pronar i kompanisë “Fresh Fruti”, ka dhënë zotimin se kompania e tij do ta bëjë grumbullimin e mjedrës nga farmerët e Gjilanit, duke ua garantuar shitjen, e cila në vitin e kaluar ka shkuar deri në 2 euro për kilogram, varësisht nga tregu.

Përndryshe, participimi i farmerëve është vetëm në sistem të ujitjes, derisa pjesa tjetër është e Komunës së Gjilanit dhe partnerit strategjik “Fresh Fruti”./2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.