DYLON

Gjilani nis rindërtimin e zonave kadastrale, ja zonat dhe datat e takimeve me qytetarë

Gjilani nis rindërtimin e zonave kadastrale, ja zonat dhe datat e takimeve me qytetarë
Avatar photo Redaksia

Rindërtimi i Kadastrit në Gjilan: Qytetarët ftohen të përfshihen në projektin për siguri juridike dhe zhvillim ekonomik

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht projekti i rindërtimit të kadastrit, një iniciativë e rëndësishme që synon përmirësimin e të dhënave pronësore dhe rritjen e sigurisë juridike për qytetarët.

EkoHigjiena

Projekti përfshin disa zona kadastrale dhe lagje të qytetit, duke shënuar një hap drejt modernizimit të sistemit kadastral.

Sipas Drejtoreshës për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, ky projekt është thelbësor për saktësimin e të dhënave dhe zgjidhjen e problemeve të trashëguara ndër vite. Ajo ka ftuar qytetarët që të jenë pjesë aktive e këtij procesi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për suksesin e projektit.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt rregullimit të kadastrit dhe forcimit të sigurisë juridike për pronat e qytetarëve, si dhe një bazë e fortë për zhvillim ekonomik,” ka deklaruar Rashiti.

Projekti përfshin zonat kadastrale: Livoç i Epërm, Bresalc, Shillovë dhe Dobërçan (Miresh), si dhe lagjet Arbëria dhe Dheu i Bardhë në qytetin e Gjilanit. Një nga elementet më të rëndësishme për qytetarët është fakti se të gjitha shërbimet që ofrohen në kuadër të këtij projekti do të jenë pa pagesë.

Në kuadër të transparencës dhe përfshirjes së publikut, janë planifikuar edhe takime informuese me banorët e zonave përkatëse:

Livoç i Epërm – 1 prill, ora 19:00, Shkolla Fillore “Vatra e Diturisë”

Dobërçan (Miresh) – 6 prill, ora 19:00, Shkolla Fillore “Nazim Hikmet”

Bresalc – 7 prill, ora 17:00, Shkolla Fillore “Ibrahim Uruqi”

Shillovë – 7 prill, ora 19:00, Shkolla Fillore “Vuk Karadžić”

Arbëria & Dheu i Bardhë (Gjilan) – 8 prill, ora 17:00, Biblioteka “Fan Noli”

Ky projekt pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e administrimit të pronës, rritjen e besimit në institucionet publike dhe krijimin e kushteve më të mira për investime dhe zhvillim ekonomik në komunë”.  /2LONLINE/