/2L ONLINE/ – Gjilani, në këto dy ditë të vikendit ishte nikoqir i turneut ndërkombëtar në basketboll me karroca, organizuar nga KBK “Drita”, në partneritet me Handikos-in. Ky turne i basketbollit në karroca, ku mori pjesë edhe një ekip nga Sllovenia u mbajt për nderë të Epopesë së Zhegocit, ndërsa pas takimeve të parapara, vendin e parë e zunë mysafirët nga Sllovenia ekipi nga Maribori, derisa KBK “Drita” u radhit e dyta.
Fatmir Shurdhani nga Hendikos ka bërë të ditur për portalin 2LONLINE, se ishte një turne i mirëseardhur ku së paku për këto dy ditë sa zgjati një numër i personave me aftësi të kufizuar harruan hallet e tyre sociale dhe u argëtuan me sport.
Gjatë këtyre dy ditëve, nga gjashtë ekipet e basketbollit në karroca, pjesëmarrëse në turne, 1. KBK Maribor nga Sllovenia 2. KBK Eagle nga Shqipëria 3. KBK Marsi nga Prizreni 4. KBK Vllaznimi nga Gjakova 5. KBK Prishtina nga Prishtina dhe 6. KBK Drita nga Gjilani, u luajtën gjithsej njëmbëdhjetë duele.
Tri vendet e para u stolisen me kupa dhe medalje. Vendi i parë i takoi ekipit nga Maribori i Sllovenisë, Vendin e dytë e zuri KBK Drita nga Gjilani dhe të tretin KBK Prishtina nga Prishtina, për të vazhduar me ekipin e Eagle nga Shqipëria, Marsi nga Prizreni si dhe Vllaznimin nga Gjakova.
“Ky turnir nuk do të mund të mbahej pa mbështetjen e institucioneve tona lokale dhe donatorët, bizneset lokal për të cilët jemi shumë falënderues. Në kuadër të këtij aktiviteti u shpërndan edhe disa mirënjohje për ata të cilët e mbështetën turnirin me mjete financiare dhe forma tjera. Një punë jashtëzakonisht të mirë gjatë këtyre dy ditëve e ka bërë edhe Qendra e Mjekësisë Familjare e cila ka qenë prezentë në palestër, e gatshme për raste eventuale të ndonjë lëndimi të sportistëve, p që për fat të mirë ekipi mjekësor pati shumë pak punë për intervenim”, ka thënë Fatmir Shurdhani nga Shoqata Handikos. /2L ONLINE/