(2L ONLINE)- Kryendeshja e javës së tetë në Ligën e Parë, ndërmjet Llapit dhe Gjilanit ka përfunduar me fitoren e llapjanëve me rezultat minimal 1:0. Një rast i vetëm ka mjaftuar për tu ndëshkuar, por kjo nuk ka qenë humbja e vetme e gjilanasve nga kjo sfidë, pasi ata kanë humbur edhe futbollistin Shqipdon Ademi i cili lëndoi rëndë këmbën në pjesën e parë dhe u dërguar me ambulancë drejt spitalit.
Vjen edhe disfata e radhës për skuadrën e Gjilanit që dukej se ishte në rrugë të mirë drejt mëtimit që të inkuadrohet në elitë. Ka qenë skuadra lidere e ligës, Llapi ajo që i ka gjunjëzuar sërish gjilanasit pas Lirisë së Prizrenit dhe që të dyjat me rezultat minimal 1:0. Përkundër disfatës, Gjilani nuk lëviz shumë në klasifikim deri sa humbet një pozitë dhe zbret në të katërtën me 16 pikë, ndërkohë Llapi me 20 sosh kryeson renditjen.
Pjesa e parë, fatale për Gjilanin
Loja nisi qetë me dy skuadrat që po testonin njëra tjetrën. Por, kohëra të kobshme për gjilanasit do të vinin qysh në minutën e 18-të, pasi futbollisti Shqipdon Ademi lëndon këmbën rëndë në një duel me Mërgim Boshnjaku dhe detyrohet ta lëshojë fushën deri sa bartet me autoambulancë drejt spitalit.
Vetëm pas pak do të vinte edhe një ndëshkim tjetër. Një goditje e Mërgim Boshnjakut ka dridhur traversën e Faton Malokut, ndërkohë topin e kthyer në rrjetë e futi Alban Mavriqi duke e gjunjëzuar kështu ‘’gardianin’’ gjilanas.
Deri në fundin e pjesës së parë nuk kishte ndonjë moment tjetër për tu veçuar.
Gjilani nuk gjen forcën për tu rikthyer
Pjesa e dytë ishte monotone. Munguan rastet e pastra për shënim. Llapi u tërhoq në mbrojtje dhe golin e dytë e kërkoi nga kundërsulmet derisa Gjilani, nuk pati forcë që të reagojë. Përmes disa gjysmë rasteve gjilanasit u munduan të afrohen drejt portës së Blakçorrit, por gjithçka ishte e kotë pasi që mbrojtja ishte e llapjanëve ishte e blinduar dhe nuk lejuan të mposhten deri në fundin e takimit.
Llapi në xhiron e ardhshme udhëton për të për t’u përballur me Dukagjinin në Klinë kurse Gjilani në fushën e saj sfidon Fushë Kosovën.
Llapi – Gjilani 1:0
Stadiumi: Zahir Pajaziti. Shikues: 1500.
Gjyqtarë: B. Sjediu, F. Jakupi, S. Reçiqa.
Shënues: Mavriqi 21’. KV: Namani – Ferati.
Llapi: Blakçori, Jashari, Muçiqi, Zhjeqi, Dragusha, Emini, Namani, Mehmeti (Rama), Mavriqi (Zeka), Boshnjaku, Zejnullahu (E. Zeqiri). Trajner: Tahir Batatina.
Gjilani: Maloku, Ademi (Ferati), Blakçori (Morina), Mustafa, Shaqiri, Beqiri, Kosumi, Emini, Kastrati (Maliqi), Hyseni, Sermaxhaj. Trajner: Musa Selimi.
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/
/Foto: KF Llapi/