Gjilani nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Gjilanit
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me rektorin e Universitetit Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan dhe me organizatën nga Bullgaria TIOT, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me karakter ndërkombëtar për të sjellë, inovacione, zhvillime dhe kreativitet për studentët që regjistrohen, duke ofruar profesionalizëm, edukim dhe jetë akademike, për zhvillim ekonomik të Gjilanit dhe Kosovës në të ardhmen.
Me këtë rast kryetari Haziri në emër të të parit të Gjilanit, i ka ofruar mbështetjen e plotë të Komunës së Gjilanit në zbatim të kësaj marrëveshjeje dhe zgjerim edhe më tutje të këtyre ideve zhvillimore por edhe mbështetje në realizimin e Kampusit të Universitetit në kazermën e FSK-së.
”Jam i nderuar që sot së bashku me udhëheqësin e organizatës TIOT nga Bullgaria dhe Universitetin “Kadri Zeka”, ne sot kemi nënshkruar partneritetin për punë dhe angazhime të përbashkëta. Të gjitha kapacitetet e Komunës së Gjilanit, mekanizmat drejtues, kuadrot profesionale, do të jenë në funksion të kësaj trupe të përbashkët, që do të punojmë shumë në krijimin e bazës dhe zhvillimit ekonomik, për zonën tonë dhe këtë regjion në përgjithësi, duke përfshirë resurset akademike që ka Gjilani e që na bëjnë krenar. Gjilani ka traditën universitare që nga vitet ’70 – ta, ndërsa sukseset e sotme të Universitetit ”Kadri Zeka”, neve na bëjnë krenar dhe më të përgjegjshëm përballë shumë përgjegjësive”, ka thënë ai.
Ai tha se projekti është i ri dhe ka për qëllim të themeloj Komitetin për Zhvillim dhe Koordinim me qëllim të mbikëqyrjes së projekteve zhvillimore dhe të garantoj standard akademik etj.
“Është projekt i ri jo vetëm për ne dhe regjionin, por edhe për Evropën, sepse kemi dashur të bëjmë një hap të rëndësishëm që krijon inovacion dhe kreativitet, por edhe mundësi të reja dhe me mbështetje të mëvonshme edhe nga institucionet, organizatat qofshin ato të Kosovës apo ndërkombëtare”, u shpreh Haziri.
Meqë jemi në prag të regjistrimit të studentëve, Haziri ka apeluar tek maturantët e Gjilanit, Kosovës dhe jashtë kufijve, që të konkurrojnë në këtë institucion, sepse Gjilani ofron mikpritje, e mbi të gjitha edukim akademik për të gjithë ata që regjistrohen.
Kryetari i Komunës ka thënë se jemi përkrah Universitetit që të shpallim projektin për Kampusin e Universitetit, sepse Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Arsimit, e ka mbështetur projektin të cilin e kemi dërguar së bashku.
Ai ka thënë se qeveria e Kosovës, është angazhuar në zgjidhjen e këtij projekti madhor kapital, sepse investimi në dije dhe në rininë tonë, është investimi më i madh që mund të bëjmë ne dhe është investimi më i sigurt në të ardhmen e regjionit tonë dhe të shtetit në përgjithësi.
Nga ana e tij, rektori i UPGJ “Kadri Zeka”, Naim Syla, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi me Komunën e Gjilanit ofron siguri në të ardhmen akademike dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të Gjilanit dhe Kosovës.
”Sot është një ditë e bereqetshme për Universitetin e Gjilanit dhe të rinjtë e këtij regjioni, sepse në shtëpinë më të madhe të Gjilanit, sot firmosëm marrëveshjen e mirëkuptimit me karakter ndërkombëtar. Kjo marrëveshje në parim është një hap shumë i rëndësishëm për universitetin, për jetën akademike të shtëpisë sonë universitare. Sot Universiteti ”Kadri Zeka”, po pranon përgjegjësi praktike dhe profesionale, me shpresë se do të sjellin pakte zhvillimore për Komunën tonë”, ka thënë rektori Syla.
Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se dinamika e zhvillimit të universitetit është e atij vëllimi saqë një ditë hapësira e tanishme nuk do t’i zë të gjithë, por me mbështetje të ministrit të arsimit dhe të Komunës së Gjilanit, edhe kjo çështje shumë shpejt do të zgjidhet.
Ndërkaq, profesori udhëheqës i organizatës TIOT, Karoly Nagy nga Bullgaria, ka dhënë mbështetje zbatimit të marrëveshjes duke ofruar bashkëpunim dhe efikasitet në punët e mëtutjeshme por edhe përvojën me institucione të kësaj natyre nëpër botë. /2L ONLINE/
