Gjilani në protestë – të premten të jemi bashkë!
Shkruan: Bekim Selishta
Të premten, Gjilani duhet ta ngrejë zërin fuqishëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë që po përballen me procese dhe dënime në Hagë.
Kjo nuk është protestë për një parti, as për një individ. Është protestë për dinjitetin e luftës së UÇK-së, për të drejtën e popullit të Kosovës që të mos trajtohet si agresor i historisë së vet dhe për të kërkuar që çdo vendim gjyqësor të mbështetet në prova, fakte dhe standarde të drejta të drejtësisë.
Gjilani e di çmimin e lirisë. E di kush ishte viktima dhe kush ishte pushtuesi. E di se UÇK-ja lindi nga një popull i shtypur, i cili për vite të tëra u përball me dhunë, represion, vrasje, dëbime dhe krime të forcave serbe.
Sot, kur bijtë e Kosovës ndodhen pas hekurave në Hagë, heshtja nuk është zgjidhje.
Ne mund të kemi dallime politike, bindje të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme për shumë çështje, por përballë historisë së luftës dhe sakrificës së atyre që luftuan për liri, duhet të dimë të qëndrojmë bashkë.
Gjilani të premten duhet të flasë!
Jo me dhunë.
Jo me urrejtje.
Por me zërin e qytetarëve, me dinjitet dhe me kërkesën për drejtësi.
Liria nuk ishte dhuratë. U pagua me jetë.
Dhe ata që e sollën këtë liri meritojnë drejtësi, dinjitet dhe të drejtën për t’u mbrojtur.
Të premten, Gjilani në protestë!
