(2L ONLINE) – Gjithmonë kur kombëtarja shqiptare ka lojë, Gjilani është në festë. Mirëpo, për dallim nga ndeshjet tjera kjo e radhës ka të bëj me një kundërshtarë të veçantë, pasi përballë tyre gjendet kombëtarja e Serbisë. Emocionet për ndeshjen Serbi-Shqipëri i ndjen çdo shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, prandaj edhe rrugët e qytetit, kafiteri të shumtë, lokale biznesi si dhe gjithkah tjetër kanë marrë ngjyra kuq e zi për ti përkrahur luanët tanë që sonte zhvillojnë ndeshjen e tyre jetësore.
Qytetarë të shumtë të Gjilanit kanë filluar festën gjatë ditës së sotme, ndërkohë që ora po afron drejt fillimit të ndeshjes, zhurma është bërë edhe më e pranishme. Shumë prej tyre u janë drejtuar kafiterive të ndryshime që në ndriçimin e projektorëve kanë përgatitur shfaqjen për ta parë ndeshjen. Një numër i madh tifozësh kanë dalë edhe në Platon e Qytetit për ta përcjellë ndeshjen nën projektorin e madh të vendosur nga Drejtoria e Sportit.
Nën brohoritjet dhe thirrjet patriotike për kombëtaret, Portali ‘’2L ONLINE’’ ka marrë prononcimet e disa tifozëve të cilët shpresojnë shumë nga ndeshja e sontme.
‘’Forca Shqipni, Përpara Djem na bëni krenarë, Shqipri Etnike’’, ishin disa nga thirrjet e simpatizantëve të shumtë që kishin veshur fanelat e kombëtares si dhe në dorë mbanin flamuj kombëtarë.
Ndërkohë lidhur me ndeshjet nuk mungon as edhe optimizmi. Aktori i njohur gjilanas Kenan Gurgurovci që kishte zgjedhur njërën nga kafiteritë e qytetit për ta parë ndeshjen u shpreh:
‘’Normal që presim fitore nga ka çfarë tjetër. E kemi obligim moral ta përkrahim kombëtaren sidomos para një rivali të tillë. Sonte mendoj se do të luajë Kosova prandaj duhet t’iu tregojmë serbëve se çka është futbolli. Dëshira ime është t’ua bëjmë Serbisë 8 me 2’’, përfundoi aktori i cili ka fituar një betejë me serbët në luftën e fundit në Kosovë pasi mbante veshur uniformën e UÇK-së.
Duke kaluar pranë Sheshit ‘’Agim Ramadani’’ sheh mijëra qytetarë të cilët janë mbledhur për ta parë ndeshjen, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë të cilët ishin të lyer me ngjyrat kuq e zi e me vete mbanin në dorë edhe flamurin kombëtarë.
Të gjitha rrugët qojnë drejt lokaleve të cilat kanë bërë përgatitjet e duhura për ndeshjen. Njëri prej tyre ishte i rregulluar me flamuj të shumtë kombëtarë, ndërkohë që nuk mungojnë edhe batutat para ndeshjes.
Gjithçka është bërë gati për fillimin e ndeshjes, ndërkohë atmosfera impozante është e pranishme në çdo qosh të qytetit. Sonte kombëtarja jonë po zhvillon betejën e radhës, sfidën e jetë, drejt realizimit të ëndrrës, PËRPARA SHQIPNI!!
(Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/