Derbi më i madh në Kosovë, Gjilani – Drita për herë të parë pas 17 vitesh do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në këtë ndeshje Gjilani është në cilësinë e vendasit dhe përgjegjësinë e organizimit e bartin kuq e bardhët.
Duke qenë se numri i shikuesve pritet të jetë shumë i lartë, zyrtarët e Gjilanit janë duke bërë përgatitjet që siguria të jetë në nivelin më të lartë.
Sevdaim Robelli, zyrtar i lartë i klubit ka deklaruar se nuk do të lejohet të hyjë brenda asnjë mjet piroteknik.
“Ne do të kujdesemi që të mos dëmtojmë stadiumin Fadil Vokrri. Niveli i sigurisë do të jetë si për ndeshjet e Kosovës. Si për Skifterat ashtu edhe për Intelektualët nuk do të lejohet asnjë mjet piroteknik. Sa i përket çmimit të biletave ende nuk kemi vendosur por sigurisht që do të ketë çmime të ndryshme, varësisht nga tribuna” deklaroi Robelli.