DYLON

Gjilani nderon kryetarin historik të Hendbollit kosovar, Mexhit Devaja

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në teatrin e Gjilanit është promovuar dokumentari dhe libri i Artan Muhaxhirit i titulluar “Një jetë me hendbollin” kushtuar kryetarit historik të hendbollit i cili më tepër se 20 vjet është marrë direkt me lobimin për të mirën e këtij sporti, Mexhit Devajës.

Në dokumentarin e promovuar, kushtuar Mexhit Devajës i përgatitur nga Artan Muhaxhiri, autor edhe i librit në mënyrë kronologjike është dhënë e tërë veprimtaria, aktiviteti, lobimet, vizita të ndryshme me rëndësi, takimet e Devajës me personalitete të njohura vendore e ndërkombëtare në interes të sportit të Kosovës dhe hendbollit veçanti.

EkoHigjiena

Në dokumentarin televiziv gjithkund shihej Mexhit Devaja entuziast, optimist dhe këmbëngulës që hendbollin kosovar ta dërgojë në arenën ndërkombëtare. Dhe pas këtij filmi të shfaqur vijnë fjalë të mëdha e të sinqerta për punën mbi 16 vjeçare të kreatorit, ideologut, menaxherit, e sponzorisueit të madh të sportit kosovar dhe mbi 20 vjet të punës së tij në këtë fushë sportive.

Me këtë rast kryetari i komunës, Lutfi Haziri tha se Gjilani ia ka borxh Mexhit Devajës t`i bëjë këtë nder dhe këtë organizim.

“Mexhit Devaja dha sakrificën më sublime për sportin kosovar – hendbollin. Kosovën e dërgoj atje ku duhet në arenën ndërkombëtare dhe me të drejtë ne e quajmë kryetari historik i hendbollit të Kosovës”, tha ai.

Haziri ka folur edhe për shumë merita që ka pasur dhe ka dhënë Mexhit Devaja nëpër vite duke qenë edhe sponzorizues me mjete vetanake i shumë takimeve dhe zhvillimeve që lidheshin me hendbollin kosovar.

“Në nderim të sportistëve dhe sportdashësve, që Komuna e Gjilanit i shpërblen për merita të veçanta, unë në cilësinë e kryetarit të Komunës, nominoj të parin njeri z.Mexhit Devaja, shpërblime të cilat do të ndahen në ditën e çlirimit të Gjilanit më 12 qershor. Devaja është njeriu të cilit do t’ia kishin lakminë për së miri edhe shumë politikan të vendit të cilët kanë këtë mision zyrtar. Ai ka lënë nga një copë Kosove ngado që ka shkuar nëpër vende të ndryshme të botës, duke promovuar kulturën dhe duke kërkuar ndihmën e shteteve të huaja që ta mbështesin sportin e Kosovës”, tha kryetari Haziri.

Ai, poashtu, theksoi kontributin e jashtëzakonshëm që Devaja ka dhënë ndër vite për të mirën e sportit dhe njohjen përmes tij edhe të shtetit të Kosovës, që siç tha Haziri kultura, sporti dhe fusha të tjera janë një element me rëndësi edhe në shtetësinë e vendit, që është vlerësuar që në vitin 2004 nga presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me medalje të veçantë.

Kurse Tarik Cengiz ish kryetar i Federatës së hendbollit të Turqisë tha se ishte nder për të, që të punojë me Mexhit Devajën.

“Mexhit Devaja është një hero dhe arkitekt i hendbollit kosovar dhe këtë meritë e ka fituar me punë, nder dhe respekt të ndërsjellë, duke punuar me vite brenda dhe jashtë Kosovës deri në arritjen e qëllimit për të mirën e sportit të Kosovës”, tha Cengiz.

Edhe Zoran Kojaqiq ish kryetar i federatës së hendbollit jugosllav tha se Mexhit Devaja ka dhënë kontribut të pamohueshëm për ta bërë realitet ëndrrën e Kosovës.

“Unë bëra për Malin e Zi kurse Mexhiti më parë se unë e bëri për Kosovën. Isha xheloz, por gjithmonë mirënjohës për punën e tij vetëmohuese”, tha Kojaqiq.

Edhe Besim Hasani tha se Devaja do të njihet si kolos i sportit kosovar, si njeri shembullor e menaxher i dalluar.

Kurse Astrit Memia nga Shqipëria tha se emri i Mexhit Devajës do të mbetet pa dyshim i ngulitur në hendbollin kosovar.

Autori i dokumentarit dhe librit Artan Muhaxhiri tha se kjo ishte më e pakta që ka mundur të sjell para sportistëve kosovar për figurën, veprën dhe jetën sportive që i dha Kosovës, Mexhit Devaja.

Kurse Mexhit Devaja, si gjithmonë fjalëpak, tha se e kishte obligim që ëndrrën e gjeneratave të reja ta dërgojë në majat e sportit europian.

“Të gjithëve nga zemra u jam mirënjohës e falënderues. Kosova dhe sporti i saj për mua ishin dhe do mbeten momentet më të lumtura të jetës sime”, tha Devaja.

Ndryshe libri “Një jetë me hendbollin” sjell në një formë më ndryshe fakte, prapaskena interesante, opinione të atyre që e njohën punën dhe bashkëpunuan për gjatë rrugëtimit të tij me hendbollin.

Libri përmban momente interesante, zhvillime nga më të ndryshmet duke filluar nga lobimi, kontaktet, njohjet me delegacionet e huaja, angazhimi maksimal në ndërkombëtarizimin e hendbollit.

“Karakteri i fortë, morali brilant, guximi dhe trimëria e pashembullt e Mexhitit, bëri që ai dhe hendbolli i Kosovës të krijoj miq dhe përkrahës në gjithë Evropën dhe më gjerë. Prandaj emri i Mexhitit do të mbetet i respektuar në historinë jo vetëm të hendbollit, por në përgjithësi të sportit të Kosovës”, është thënë në hyrje të librit.

Kurse vet Mexhit Devaja ka thënë se është krenar për punën të cilën e ka bërë, për të mirën e Hendbollit dhe shtetit të Kosovës.

“U trasua një rrugë shumë e mundimshme për gjeneratat e ardhshme që t`i bashkëngjiten familjes së madhe europiane e botërore, sepse nëpërmjet sportit vlerësohet edukata e një shteti. Këtë mundësi tani e kanë hendbollistët e hendbollistet e Kosovës”, tha ai ndër të tjerash./2L ONLINE/