DYLON

Gjilani ndanë mirënjohje për Asociacionin “Kosova Ansambël”, me rastin e Ditës së Evropës

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ Komuna e Gjilanit në kuadër të aktiviteteve me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, në bashkëpunim me Asociacionin “Kosova Ansambël” nga Franca, kanë organizuar javën e Evropës ku është hapur me seminarin për Evropën për të vazhduar me debate të ndryshme me nxënësit e shkollave të mesme, Shërbyesit Civil të Komunës së Gjilanit, që është përmbyllur me konferencën e përbashkët me studentët e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, për t’u njohur më shumë me rëndësinë e kësaj date që nga iniciativa për krijimin e BE – së Këshillit Evropian dhe mekanizmave të tjerë deri te anëtarësimi i shteteve të reja në këtë organizatë.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në emër të Komunës ka ndarë mirënjohje, për Asociacionin “Kosova Ansambël” dhe ligjëruesin Ilir Mustafa, në shenjë falënderimi për kontributin e veçantë të bashkëpunimit dhe mbështetje të Komunës së Gjilanit, qytetarëve të saj, e në veçanti partneritetit evropian, Gjilan – Luterbach, që nga viti 1995.

EkoHigjiena

“Për angazhime të veçanta të shënimit të Ditës së Evropës, në Komunën e Gjilanit, në mbështetje të fuqishme nga Asociacioni “Kosova Ansambël”, për një javë rresht janë organizuar debate, ligjërata, seminar dhe konferencë shkencore, për shënimin e kësaj dite të veçantë për të gjithë ne. Partneriteti Evropian, Gjilan – Luterbach, themelet i ka që nga viti 1995. Mbështetje e fuqishme përmes “Kosova Ansambël” të ditës së Evropës, i është dhënë nga ligjëruesi Ilir Mustafa, i cili për një javë ka informuar grupe të ndryshme të qytetarëve të Gjilanit, për shënimin e 9 majit si Dita e Evropës, Këshillin Evropian dhe mekanizmat tjerë me shumë ndikim, që janë trupa të këtij këshilli”, tha kryetari Haziri.

Ndërsa në konferencën shkencore të organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Qendra Kosovare për Diplomaci, mbështetur edhe nga “Kosova Ansambël”, sot në Universitetin “Kadri Zeka”, janë bërë prezantime të kumtesave para një pjesëmarrjeje të gjerë ku u kërkua nga studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, të punojnë sa më shumë, duke e dëshmuar punën me dije, me profesionalizëm dhe kulturë.

Edhe në këtë takim kryetari Haziri ka thënë se në Evropë është Gjilani i vogël me përfaqësim të mbi 30 % të qytetarëve të saj, në shtete të ndryshme të BE – së, të cilët tani janë të dëshmuar në fusha të ndryshme dhe të përgjegjshëm në punët që kryejnë.

“Në Evropë kemi prezent Gjilanin e vogël. Ne kemi në shtete të ndryshme të BE – së, mbi 30 % të popullsisë sonë. Ai komunitet që ka migruar para 40 vjetëve e më shumë, sot janë të integruar në jetën shoqërore, institucionale, arsimore, shëndetësore, politike, ekonomike etj. Por, në të njëjtën kohë kemi mbi 90 % e të rinjve të Kosovës që asnjëherë nuk kanë vizituar BE – në deri më tani, për shkak të regjimit të vizave. Rruga e lëvizjes në këtë drejtim nuk do të na jepet dhuratë, por atë ne duhet ta meritojmë. Kjo arrihet përmes punës, përkushtimit, dijes, profesionalizmit, kulturës, por edhe kushteve të tjera që duhet plotësuar me kohë dhe me përkushtim në aspektin politik”, potencoi kryetari Haziri.

Ai ka bërë thirrje që rrugët e migrimit ilegal nga qytetarët e Kosovës të mos provohen, sepse janë rrugë të lëvizjeve të errëta, që edhe pas heqjes së vizave gjatë të ardhmes, qytetarët të cilët kanë marrë këto rrugë do t’i vuajnë pasojat e kufizimit të lëvizjes në këtë drejtim.

Ndërsa referuesit tjerë në këtë konferencë, prorektori i universitetit, Gëzim Tosumi, tha se ne duhet ta sjellim bashkërisht Evropën në Kosovë edhe pse nuk jemi anëtar të BE-së. Ai ka kërkuar që të gjithë bashkërisht të punojmë në aspektin e përgatitjes profesionale në mënyrë që të gjithë me dallimet që kemi, të jemi konkurrent të qytetarëve që janë në BE.

Nga ana tjetër Burim Elezi në emër të Zyrës për Integrime Evropiane, ka thënë se integrimi në familjen Evropiane, mund të bëhet vetëm me pjesëmarrje dhe angazhim të fuqishëm të shoqërisë në përgjithësi dhe pjesëmarrjen e secilit nga ne. Ai tha se integrimi është një proces zinxhirë dhe duhet punë intensive, përkushtim, vigjilencë, reforma të thella të cilat kërkojnë kohë dhe kosto.

Me informatën mbi arsimin është paraqitur edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, sikurse që kumtesat e tyre i kanë prezantuar edhe Selim Daku, nga Qendra Kosovare për Diplomaci dhe Valdrin Halimi.

Ndryshe, gjatë kësaj konference është bërë edhe shpërndarja e mbi 100 certifikatave për pjesëmarrësit e seminarit të organizuar me këtë qëllim./2L ONLINE/