/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Valentina Bunjaku Rexhepi, ka miratuar sot raportin financiar janar-mars 2016, propozim vendimin për qasjen e revidimit të planit zhvillimor komunal “Gjilani 2015+”, propozim vendimin për qasjen e revidimit të planit rregullues urban të hollësishëm “Qendra-z-1”, sikurse edhe propozim vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private për nevoja të rrugës qarkore sipas PRRU “Fidanishte” – Gjilan.
Seanca e sotme u karakterizua me transmetimin e drejtpërdrejt përmes kanalit zyrtar në Youtube, projekt ky i implementuar nga Zyra për Informim me mbështetje të kryetarit Haziri.
Kryesuesja Bunjaku Rexhepi ka përgëzuar Zyrën për Informim për realizimin e këtij projekti, të parin në histori të institucioneve kosovare të kësaj natyre, duke thënë se ndihet mirë që transparenca e Komunës së Gjilanit po anvancohen edhe më shumë.
Projektin e përshendetën edhe asambleistët tjerë si Isa Agushi (LDK), Bujar Nevzati (PDK), e Fehmi Sylejmani (VV), të cilët theksuan se gjithmonë do t’i përkrahin projektet e mira.
Kuvendi miratoi raportin financiar janar-mars 2016, të cilin e ka prezantuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, i cili tha se buxheti për këtë vit është 22 milionë euro, derisa për periudhën tre-mujore është shpenzuar 21 për qind e këtij buxheti në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
Pozita, Avdyl Aliu – shef i grupit të LDK, Nevzad Rushiti (LDK) e Mevlyde Zejnullahu (AAK), kanë përkrahur raportin duke e vlerësuar si shumë profesional, përderisa opozita, Riad Rashiti (PDK) e kanë kundërshtur, duke thënë se ka zvogëlim të shpenzimeve kapitale, përderisa kërkuan sqarime lidhur me fondin e solidaritetit.
Drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, tha se në këtë fond, nga njerëzit e vullnetit të mirë janë mbledhur 112 mijë euro, pas iniciativës së kryetarit Haziri në gala mbrëmjen humanitare, përderisa pjesa tjetër, që po kritikon opozita, janë të buxhetit komunal. Raporti u miratua me 19 vota për dhe 10 kundër.
Pika më nxehtë, e cila është futur në rendin e ditës me kërkesë të opozitës, përkatësisht Bujar Nevzadit (PDK), ka qenë ajo lidhur me rrënimin e fabrikës së bukës “Kualiteti”.
Riad Rashiti (PDK) tha se qasja e gabuar pushtetit të tanishëm me investitorët e solli në këtë gjendje fabrikën, derisa asambleistët e pozitës, Avdyl Aliu, Isa Agushi, Nevzad Rushiti, e Ibish Ibishi (AAK), iu kundërpërgjigjën duke thënë se privatizimi ka ndodhur në kohën e qeverisjes së PDK-së, duke e pyetur se pse nuk kanë reaguar në vitin 2008.
Nevzad Isufi, shef i grupit të VV-së, tha se Komuna e Gjilanit është dashur ta shpallë zonë të veçantë për ta ruajtur, siç tha, rrënimin e “Kualitetit”, ndërkaq asambleisti i Nismas, Bajram Hasani, pohoi se privatizimi ka ndodhur në kohën e qeverisjes së PDK-së, duke shtuar se nuk ka asnjë shkelje në këtë rast dhe se pronari e ka pasur të obliguar që për dy vjet ta ruaj fushëveprimtarinë e prodhimit të bukës dhe më pas mund ta ndë pas mund ta ndërroj fushëverimtarinë.
Gjatë debatit, shefi i grupit të PDK-së, Sahit Abazi, ka kërkuar që të bëhet një komision të përbërë prej të gjitha partive, për siç tha, parandalimin e rrënimit të fabrikës së bukës dhe pas hudhjes në votim, nuk kanë kaluar rekomandimet e tyre, pasi 19 votuan kundër, përderisa vetëm 9 për. Pas kësaj, asambleistët e PDK-së braktisën seancën.
Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar edhe propozim vendimin për qasjen e revidimit të planit zhvillimor komunal “Gjilani 2015+”, propozim vendimin për qasjen e revidimit të planit rregullues urban të hollësishëm “Qendra-z-1”, sikurse edhe propozim vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private për nevoja të rrugës qarkore sipas PRRU “Fidanishte” – Gjilan, të cilat i kanë prezatuar Valon Shefkiu, drejtor i Urbanizmit dhe Sadudin Berisha , drejtor për Kadastër.
Ndërkohë, një informatë të rëndësishme e ka dhënë drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, i cili tha se Komuna i ka ndarë 50 bursa për nxënësit e shkëlqyeshëm të shkollës së agrobiznesit “Arbëria”.
“Për 25 nxënësit që vijnë nga zonat rurale janë ndarë nga 40 euro, derisa për 25 të tjerët nga qyteti nga 30 euro, ndërsa shuma totale është 17 mijë e 500 euro”, tha Ramadani.
Në këtë mbledhje, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi i ndau mirënjohjen në emër të kryetarit Haziri, Kemajl Shahin, për kontributin e tij në promovimin e të drejtave të komuniteteve si kryesues i Komitetit për Komunitete.
Ndërkaq, asambleisti nga radhët e PDK-së, Izmi Zeka, ka bërë publike se tërhiqet nga kjo pozitë, duke lëshuar rend për një asambleist tjetër të kësaj partie. /2L ONLINE/