Gjilani, MSH dhe “Caritas” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit ka nënshkruar të premten një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe “Caritas-in” gjerman për mbështetje në realizimin e një programi të punës për kujdesin primar shëndetësor. Aktin e nënshkrimit e ka bërë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe përfaqësuesi i “Caritas-it” në Kosovë, Don Viktor Sopi.
“Është një program shumë i rëndësishëm për komunën e Gjilanit. E falënderoj ministrin Rrahmani dhe Don Viktorin për mbështetjen që i japin Komunës në realizimin e një programi të punës për kujdesin primar shëndetësor, duke zgjeruar bazën e kujdesit për kategoritë e rrezukuara, kategoritë e vetmuara dhe kategoritë e veçanta në vendbanime të territorit të komunës sonë. Në këtë projekt përfshihen vendbanime të larta, përkatësisht kodrinoro-malore”, ka deklaruar pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, ministri I Shëndetësisë, Imet Rramani, tha se ky është një hap i mirë mes Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Gjilanit dhe “Caritasit” gjerman në Kosovë, me synim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për grupet që kanë nevoja të veçanta për trajtim.
“Qëllimi është që të forcojmë kujdesin parësor shëndetësor, për mbështetjen sidomos në projekte të cilat kanë synim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për grupet që kanë nevoja të veçanta për trajtim. Ne i dimë vështiresitë e komunave, por me këtë bashkëpunim që kemi filluar sot, ne do të mundohemi që të krijojmë kapacitete të reja që këto shërbime të mbërrijnë atje ku ka më së shumëti nevojë, tek ta që nuk kanë mundësi të shpeshta t’i frekuentojnë institucuionet shëndetësore”, ka thënë ministri Rrahmani.
Don Viktor Sopi, përfaqësues i “Caritas-it” gjerman në Kosovë, ka falenderuar kryetarin Haziri dhe ministrin Rrahmani për gatishmërinë që të mbështeten njerëzit që kalojnë një jetë të vështirë e të vetmuar.
“Duke falënderuar kryetarin Haziri dhe ministrin Rrahmani që falë “Caritasit” gjerman, i cili mbështet këtë projejkt për kujdein primar apo shtëpiak për njerëzit që kalojnë një jetë të vështirë e të vetmuar, ne në selinë tonë në Bruksel kemi objektivin parësor njeriun, edhe atë në të gjitha vendet ku vepron “Caritas-i” si organizatë humanitare. Sot ndihem mirë që do të mendojmë më me përkushtim dhe përgjegjësi për personat e vetmuar në komunë dhe rrethinë”, ka thënë Don Viktor Sopi./2L ONLINE/
