Gjilani merr zotimin nga qeveria zvicerane për investime shtesë prej 2 milionë euro
/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale dhe bashkëpunëtor të tjerë kanë pritur në një takim pune përfaqësuesit e zyrës zvicerane dhe të UNDP-së në Kosovë, me të cilët kanë folur lidhur me angazhimet konkrete që Komuna është duke i bërë në planin e integritetit, si dhe informatën për investime shtesë nga qeveria zvicerane prej rreth 2 milionë euro, që kanë të bëjnë kryesisht me investime në fushën e ujërave, zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
Me këtë rast nënkryetari, Kadriu, ka thënë se angazhimi i Komunës së Gjilanit është shumë i madh në përmirësimin e jetës dhe shërbimeve për qytetarët, duke potencuar edhe planin për integritet, i cili qartëson dhe ka në vete edhe nevojën e madhe të përfshirjes së qytetarëve, shoqërisë civile dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë plan dhe zbatimin e tij.
“Plani për Integritet është një material i qartë se çka duhet të bëhet saktësisht në fushën e bashkëpunimit me qytetarë si dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj tyre. Falë angazhimit maksimal të kryetarit Haziri dhe përkushtimit të vazhdueshëm të tij, ne sot kemi një plan për integritet të cilin e kemi hartuar bashkërisht edhe me akter të tjerë nga niveli lokal dhe UNDP si partner në këtë përpilim. Konform këtij plani ne jemi duke punuar që shërbimet për qytetarë, por edhe investimet nga donatorët të kenë një mbështetje dhe udhëzim të qartë për nevojat e Komunës në fusha të ndryshme. Kjo ka qëllim informimin e qytetarëve për të gjitha ndodhitë nëpër drejtori dhe në përgjithësi në Komunë, hapje të prokurimit publik, përmirësimin e shërbimeve komunale ndaj qytetarëve, por edhe angazhimin konkret që të kemi vendimarrje bashkë me qytetarët”, tha në fjalën e tij nënkryetari Kadriu.
Ai ka informuar delegacionin edhe për vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për eliminim të korrupsionit apo rasteve të keqpërdorimit, që parasheh shpërblim në para të gatshme nga 500 deri në 2 mijë euro, për të gjithë ata që lajmërojnë rastin e korrupsionit ndaj zyrtarëve komunal.
Ndërsa nga ana e tij, Patrick Etienne, drejtor i SDC-së në Kosovë, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për angazhimin dhe përgatitjen e këtij plani për integritet, duke paralajmëruar se agjensionet e ndryshme ndërkombëtare, investimet dhe bashkëpunimin e tyre do ta bëjnë, vetëm me Komunat që kanë një plan të tillë.
“Çdo vit në Kosovë ndahen nga 25 milionë euro, për investime, zhvillim ekonomik dhe punësim, sikur që edhe këtë vit për Gjilanin si komunë janë të destinuara rreth 2 milionë euro. Sot problem për qytetarët dhe për donatorët në përgjithësi mbetet përfolja e madhe për korrupsionin, për çka ende nuk është duke u bërë një punë e vendosur që ky fenomen negative të adresophet në organet e drejtësisë. Plani i integritetit është hap i madh dhe i menqur nga Komuna e Gjilanit. Agjensione të ndryshme ndërkombëtare, të cilat ndajnë fonde për Kosovën, do të bashkëpunojnë vetëm me komunat të cilat tashmë kanë plan të qartë për integritet”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Drejtorët, ai i Arsimit dhe i Administratës së Përgjithshme, kanë informuar delegacionin lidhur me punët që janë bërë e që bëhen vazhdimisht në përmirësimin e shërbimeve si në efiqiencë të shërbimeve, digjitalizim të tyre, hapje të institucioneve ndaj qytetarëve, por edhe aspekte të tjera e të shumta që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimeve dhe bashkëpunimin e hapur me qytetarët./2L ONLINE/
