Gjilani me ligjërata dhe marsh sensibilizues shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Gjilani me ligjërata dhe marsh sensibilizues shënon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Organizuar nga “Grupi joformal “Gratë aktive të Gjilanit”, në bashkëpunim edhe me Zyrën për Barazi Gjinore të Komunës së Gjilanit, me ligjërata këshilluese dhe marsh sensibilizues, në këtë qytet, është shënuar muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Fillimisht në sheshin “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”, është mbajtur tryeza me këshilla dhe tregime të vërteta sa i përket kësaj sëmundjeje, për të vazhduar me marshin “Ecim në parandalim të kancerit të gjirit”, si mbështetje për të prekurat nga kjo sëmundje.

Me këtë rast, Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit ka përgëzuar organizatorët e këtyre aktiviteteve duke thënë se “Gratë aktive të komunës së Gjilanit”, kanë bërë një punë të mirë me këso aktivitete dhe që kanë mbledhur këtu ekspertë dhe njerëz të përgatitur për këtë fushë.

Ajo tha se lufta kundër kësaj sëmundje që i prekë kryesisht gratë, por edhe vajzat është e domosdoshme në çdo fazë, andaj edhe këshillat këtu janë të mirëseardhura, si në parandalimit të kësaj sëmundje, po ashtu edhe përgjatë trajtimit dhe të përballimit.

“Organizimet e tilla janë të domosdoshme dhe gjithashtu të nevojshme që sa më shumë të kemi kampanja të tilla të vetëdijesimit me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundjeje në fazat e mëhershme . Angazhimi më i mirë është për parandalim, por edhe për fazat tjera është e nevojshme përkrahja e gruas, jo vetëm nga familja por gjithsesi ajo duhet ta gëzojë edhe mbështetjen institucionale, pra të shtetit”, ka thënë Kurteshi – Emini.

Në tryezë me diskutimin e tij u paraqit edhe onkologu, Arben Bislimi i cili ka thënë se është shumë me rëndësi ndërgjegjësimi rreth kësaj sëmundje dhe në këtë drejtim ka përparime, por duhet angazhuar që këto të jenë edhe më të mëdha andaj edhe mirëpritët çdo aktivitet si ky i sotshmi.

Ai potencoi rëndësinë e zbulimit të kësaj sëmundje në fazat e mëhershme pasi edhe trajtimi dhe shërimi është më i lehtë. Andaj, shtoi ai, për ankesat më të vogla duhet të ofrohemi te mjeku, ndërsa gratë mbi moshën 40 vjeçare është e nevojshme të bëjnë mamografinë.

“Ta kapim sëmundjen akoma pa pasur simptome dhe sa ma herët që arrijmë ta detektojmë, do ta kemi rezultatin më të mirë, pastaj edhe për kurim potenciali është më i lartë”, ka thënë Bislimi.

Edhe gjinekologia Burbuqe Mustafa ka kërkuar nga gratë që të mos kenë frikë nga kontrollet, por t’i bëjnë ato në mënyrë që të kemi identifikim më të hershëm të kësaj sëmundje dhe po ashtu të merremi menjëherë me trajtim, derisa psikologjia, Mimoza Kadriu dhe sociologia, Anita Ademi kanë potencuar domosdoshmërinë e përkrahjes, si nga familja, po ashtu edhe nga institucionale të personave të prekura nga kjo sëmundje, në çdo fazë.

Përndryshe, Zarife Asllani, ka ndarë përvojën e saj, si e prekur nga kjo sëmundje, e cila ka kërkuar nga gratë që t’u nënshtrohen kontrolleve pa hezitim dhe nëse identifikohen simptomat e kësaj sëmundjeje të mos humbin kohë e të nisin menjëherë trajtimin.

Ndryshe, tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacione dhe t’i edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën, andaj edhe aktivitetet e tilla në Komunën e Gjilanit kishin për qëllim ndërgjegjësimin dhe solidarizimin me gratë e vajzat e prekura nga kjo sëmundje.

KOMENTE