(2L ONLINE) – Shefi i Këshilltareve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Avdyl Aliu, ka ftuar për nesër një konferencë ku pritet të prezantojë iniciativën për shpalljen qytetar nderi të Gjilanit për yllin e futbollit, Xherdan Shaqiri.
Konferenca pritet të mbahet në ora 12:00, në sallën e Kuvendit Komunal.
Përndryshe, më parë janë hedhur ide që stadium i Qytetit të Gjilanit të emërtohet me emrin e Xherdan Shaqirit që me prejardhje është nga Zhegra e Gjilanit, por se ato kanë mbetur vetëm ide.
Vlerësohet se ky futbollist që aktualisht luan në Bajern të Gjermanisë e që është edhe shtyllë e kombëtares së Zvicrës është krenaria e komunës së Gjilanit, e cila e ka përdorur edhe imazhin e tij për të pritur bashkatdhetarët tanë që këto ditë po qëndrojnë në vendlindje e tyre Gjilanin, me rastin e pushimeve që i kanë.
Ditë më parë, kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri gjatë takimit që pati me Ministrin e Diasporës Ibrahim Makollin, ka thënë se çmon lartë kontributin e diasporës veçmas edhe sa i përket imazhit të mirë që po e krijojnë për vendin e tyre Kosovën, aty ku jetojnë e veprojnë dhe në këtë kontekst e ka përmendur edhe Xherdan Shaqirin. /2L ONLINE/