DYLON

Gjilani me donatorët vunë gurëthemelin e shtëpisë për një familje skamnore në Verbicë të Zhegocit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit së bashku me donatorët, vëllezërit Burhan dhe Basri Hyseni, kanë vënë sot gurëthemelin e ndërtimit të shtëpisë për familjen pesë anëtarëshe të Përparim Halilit në Verbicë të Zhegocit, i cili deri tani ka jetuar në gjendje të rëndë të banimit.

Pas vënies së gurëthemelit, kryeari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar vëllezërit Hyseni për këtë donacion, i cili vije pas organizimit të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, të organizuar në nëntorin e vitit 2014.

EkoHigjiena

“Unë i falënderoj vëllezërit Burhan dhe Basri Hyseni, dy gjilanasit që jetojnë dhe punojnë në Zvicër me familje, për donacionin që e kanë ndarë për familjen e Përparim Halilit në Verbicë të Zhegocit. Është familje pesë anëtarëshe e cila ka jetuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë dhe ka qenë në listën e Komunës që është përzgjedhur nga vetë donatori”, ka thënë Haziri.

Haziri ka bërë të ditur se nga fondi i Komunës janë duke i rindërtuar edhe 38 objekte sipas kërkesave të qytetarëve, janë duke paguar qira për 40 familje, ndërsa ka paralajmëruar se gjatë verës do të nisin të ndërtohen edhe 6 shtëpi të tjera.

“Ne do të vazhdojmë me aksionin solidar falë donatorëve që po vijnë nga njerëzit vullnetit të mirë si Burhani e Basriu, të cilët ndajnë nga pasuria dhe nga të ardhurat e familjes për t’iu ndihmuar familjeve skamnore. Nga Fondi i Komunës, ne jemi në rindërtim të 38 objekteve, do të vazhdojmë të paguajmë qira për 40 familje, ndërsa edhe 6 shtëpi të tjera gjatë verës do të fillojnë të ndërtohen. Dallimi jonë me komunat tjera është që ne i ndërtojmë shtëpitë me çelësa në dorë”, është shprehur kryetari i Gjilanit.

Donatori Burhan Hyseni ka shprehur gëzimin që shumë shpejt familja Halili nga Verbica e Zhegocit do të hyjë në shtëpi të re, ndërsa ka konfirmuar se ky nuk do të jetë donacioni i fundit.

“E falënderoj Zotin që na e ka dhënë mundësinë që ta ndihmojmë këtë familje me gjendje shumë të rëndë. Po ndihem shumë mirë që po ia ndërtojmë shtëpinë Përparimit dhe ky nuk ka me qenë donacioni i vetëm. Sipas mundësive tona do të vazhdojmë të japim kontributin tonë edhe në të ardhmen”, tha Hyseni.

Fjalë falënderimi për kryetarin Haziri dhe donatorin ka shprehur Përparim Halili, i cili tregoi se deri tash ka jetuar në gjendje të tmerrshme.

“Unë kam jetu në gjendje shumë të keqe. S’ka pasë kushte me jetu në shpijën e vjetër sepse ka piku në tana anët. E falënderoj kryetarin për iniciativën dhe familjen Hyseni që po na ndërton shtëpinë. Zoti i shpërbleftë”, ishin fjalët e Përparimit.

Pas inaugurimit të shtëpisë, donatori Burhan Hyseni ia shpërndau disa pako ushqimore familjes së Përparim Halilit.

​Përndryshe, në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata” të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Haziri në nëntorin e vitit 2014, u premtua ndërtimi i 11 shtëpive, ndërsa pas kësaj u lajmëruan edhe 26 donatorë të tjerë, duke u trefishuar premtimi publik. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.